Nëpërmjet Akademive, Kosova dhe Franca me marrëveshje bashkëpunimi

14.11.2016 13:56:27

“Ne sot po e firmosim marrëveshjen e bashkëpunimit, mbi bazë të së cilës do të zhvillojmë aktivitete me interes të ndërsjellë në ato fusha dhe tema ku kemi mundësi financiare të bashkëpunojmë”, ka thënë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami.

Mëngjesin e së hënës, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u bë nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim më të ngushtë midis Akademisë së Mbishkrimeve dhe te Letërsisë së Francës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në sallën e konferencave të kësaj akademie të pranishëm përveç akademikëve e artdashësve ishin edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala si dhe ministri i Ministrisë së Arsimit Shkencës e Teknologjisë Arsim Bajrami.

Kësisoj kjo marrëveshje u përcjell me mjaft interes nga këta të pranishëm, ndërsa kryetari i ASHAK Hivzi Islami, tregoi në një fjalë rasti të mirat që sjell kjo marrëveshje për akademinë e vendin në përgjithësi.
20161114132328231
“Ne sot po e firmosim marrëveshjen e bashkëpunimit, mbi bazë të së cilës do të zhvillojmë aktivitete me interes të ndërsjellë në ato fusha dhe tema ku kemi mundësi financiare të bashkëpunojmë. Do të këmbejmë kuadro akademikë për tema të ndryshme, do ti këmbejmë botimet periodike dhe jo periodike, do të kemi qasje praktike në biblioteka e arkiva akademike. Marrëveshja ka një kohëzgjatje për tri vitesh, mund të bëjmë amendamente gjatë kohës, për marrëveshjen do të kujdesen dy të deleguarit ku janë një anëtar i akademisë franceze dhe një anëtar i ynë”, tha kryetari Islami, i cili theksoi se shpreson që me këtë marrëveshje po e hapin një kaptinë të re të bashkëpunimit, jo vetëm midis dy akademive, por sipas tij, kjo do të ketë rëndësi edhe për zhvillimet shkencore e kulturore midis këtyre vendeve.

20161114132341354

Ndërkaq, sekretari permanent i Akademisë së Mbishkrimeve dhe të Letërsisë të Francës Michel Zink, nuk la pa përmendur të kaluarën e Kosovës, që sipas tij është shumë e afërt, duke thënë se me një akademi të tillë ka mbajtur dhe po mbanë gjithë këto vlera.

“Kjo e kaluar e Kosovës shumë e afërt, me një vend të tillë e një akademi të tillë e cila ka mbajtur dhe po e mbanë me kurajë e vështirësi gjithë këtë vlerë e këtë aktivitet intelektual, bën që institucioni ynë të jetë shumë krenar që e kemi nënshkruar një marrëveshje të tillë. Dua të them që ky nënshkrim vjen nga vullneti, diplomacia dhe këmbëngulësia e ambasadorit Muhamedin Kullashi”, pohoi Zink.

Pas përfundimit të nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Michel Zink, mbajti një ligjëratë me temën “Subjektiviteti Letrar”, në ASHAK. /Kultplus/