Nervoza lidhur me vrasjet politike, kontribut i drejtimit të Qeverisë nga LDK

23.03.2017 11:42:37

Nga Rexhep Kastrati

Gjatë këtyre ditëve, çështja e vrasjeve politike është rikthyer me një dinamikë shumë interesante, dhe që është rikthyer nga përfituesit e veprimtarisë së SHIK-ut dhe mbështetës medietikë të saj. Dhe e vetmja e veçantë është kjo, sepse është hera e parë që e pranojnë se vrasja e zyrtarëve dhe veprimtarëve të saj, e ushtarakëve, e personaliteteve të tjera politike, publike dhe të qytetarëve të ndryshëm, është me vijë politike, pra karakter politik. Dhe kur dëgjon apo lexon se si Xhavit Haliti i quan vrasje politike, kur lexon apo dëgjon se si një Milaim Zeka që flet për vrasje politike, atëherë vërtet është një kontribut i madh që ka dhënë LDK me drejtimin e Qeverisë.

Është kështu se po të mos ishte bërë ky koalicion, po të mos e merrte drejtimin e Qeverisë LDK, nuk do të dilnin gjithë ato të vërteta që kanë dalë gjatë këtyre viteve: dosjet dhe spiunllëqet që shokët e luftës, por edhe të krimit kanë bërë kundër njëri-tjetrit; tradhtitë e ndryshme që i kanë bërë; frika dhe trazimi i madh që i ka kapur që me ardhjen e Isa Mustafës në krye të Qeverisë së Kosovës. Dhe pikërisht këto janë arsyet se përse LDK është goditur dhe po goditet me një luftë speciale psikologjike dhe medietike, politike dhe kundërinstitucionale, dhe këto janë arsyet se përse gjithë këto kritika se përse ka bërë koalicion me PDK-në. Dhe ky koalicion, përkatësisht  marrja e drejtimit të Qeverisë nga LDK nuk ka qenë në përputhje me qëllimin kryesor që kanë pasur dhe kanë linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste, dhe në përgjithësi strukturat mafiozo-politike në raport me të: dobësimin dhe rrënimin e saj.

Pra, që kur kanë dalë, këto dy linja dhe në përgjithësi kanë pasur për qëllim që ta dobësojnë dhe ta rrënojnë LDK-në, për ta rrënuar kështu edhe projektin e presidentit Rugova për pavarësinë e Kosovës si zgjidhje kompromisi me tendencë bashkimin kombëtar nëse do të kishte ndryshim kufijsh ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, dhe të instalohej një projekt që do ta kishte për qëllim krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, si bazë për ndarjen e Kosovës. Dhe në këtë funksion ishin vrasjet politike, sepse duke i vrarë veprimtarët e LDK-së dhe personalitetet tjera politike, publike, medietike e ushtarake, synohej pikërisht dobësimi i saj, dhe futja e çarjes brenda saj, në mënyrë të të rrënohej fare. Mirëpo, përkundër vrasjeve, dhe përkundër goditjeve që mori më 1998, në një farë mase edhe më 1999, 2004, e pastaj më 2006, LDK u mbajt mirë dhe qëndroi fuqishëm përballë synimeve të qarta për rrënimin e saj. Në këto angazhime lufta speciale, përbaltja dhe shpifja kanë qenë argumentet dhe mënyrat kryesore për luftimin e LDK-së, presidentit Rugova dhe imazhit të saj në popull. Me këto, përgatitej opinioni, apo arsyetohej edhe krimi politik, arsyetoheshin dhe përgatitej opinioni për vrasjet politike: duke filluar që nga presidenti Rugova e deri te veprimtari më i thjeshtë i LDK-së quheshin tradhtarë, udbashë dhe me terminologji të tillë përbaltëse, me çka edhe vrasjet paraqiteshin si vrasje të tradhtarëve, të udbashëve etj.

Dhe nëse LDK do të rrënohej, atëherë të gjithë ata të vrarë do të vazhdonin të trajtoheshin si tradhtarë, udbashë e të ngjashëm. Pra, jo që nuk do të bëhej fjalë për zbardhjen e atyre vrasjeve, por do të vazhdnonin të përbalteshin edhe pas vdekjes. Kur kanë ndodhë vrasjet, as që kanë besuar se do të vijë dita që të përmendej LDK, ose që do të ishte kaq e fuqishme sa që është sot, e lë më që ta drejtojë Qeverinë. Dhe kjo ka zënë ngusht gjithë njerëzit e linës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste si dhe gjithë strukurat mafiozo-politike që kanë punuar dhe po punojnë për interesa të Serbisë, prandaj, janë vetë ata që po e sulmojnë LDK-në dhe po e kauzojnë për koalicion me PDK-në. Por nuk e akuzonin LDK-në kur bënte koalicion me PDK-në apo AAK-në kur kryeministri ishte i atyre partive, madje as kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, pasi që të e shumta që mund të pranohej ishte që LDK të ishte vetëm bisht i tyre. Tash kur LDK ua ka marr pushtetitn dhe ka kontribuar që proceset në vend të vazhdojnë, edhe pse me vështirësi, dhe kur jemi në prag të funksionalizimit të Gjykatës speciale, tash na qenkësh problem koalicioni. Dhe kur ia qan hallin LDK-së, Milaim Zeka, dhe ua qan hallin familjarëve të të vrarëve politikë, do të thotë se kriza brenda llojit të tyre është në kulm dhe gati të shpërthejë. Dhe kjo pra, është ajo që në fakt po i shqetëson ata, seps  loja është kryer dhe gjithkush do marri përgjegjësitë që u takojnë.