Nëse nuk ka pensione, ka protesta nga veteranët

13.09.2016 14:03:46

Ministri i Financave, Avdullah Hoti sot ka deklaruar se nuk janë siguruar mjetet për pensionet e veteranëve. Derisa FMN-ja i kishte sugjeruar Qeverisë të Kosovës që numri i pensioneve të ulet sepse po i shkakton ngarkesë buxhetit të Kosovës.

Lidhur me këtë, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë se është faji i Komisionit Qeveritar, ngaqë nëse ka fryrje të listave, atëherë ato duhet të pastrohen.

“Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve i ka nxjerrë këto lista dhe është përgjegjës nëse ka fryrje, ne nuk jemi fajtorë për këtë. Zgjidhja është e lehtë, Qeveria le t`i pastrojë listat dhe nuk do të ketë asnjë problem as me Fondin Monetar, as me buxhet e as me veteran”, është shprehur Qeriqi për Indeksonline.

Ai ka thënë se nëse Qeveria nuk do që t`i pastrojë listat, atëherë veteranët janë të vendosur që të mos heqin dorë nga pensionet e tyre.

Qeriqi ka paralajmëruar se nëse shkaktohet problem për veteranët, atëherë do të ketë protesta për t`i mbrojtur të drejtat që u takojnë me ligj.

“Ne ua kemi ofru këtë zgjidhje kryeministrit, por nëse Qeveria nuk po do t`i pastrojë listat, ne jemi të vendosur që të mos heqim dorë nga pensionet e veteranëve. Kështu që i bëjmë thirrje Qeverisë që t`i pastrojë listat dhe të mos u shkaktojë problem veteranëve të vërtetë, në të kundërtën ne do të jemi të detyruar të protestojmë të vendosur në mbrojtje të drejtave tona që tashmë na takojnë me ligj”, ka thënë ai për Indeksonline.

Ndërsa, ministri Hoti ka deklaruar se shuma për pensionet nuk është më shumë se 25 milionë euro.