Nesër në Galicë rivarrosen familjarët e Azem Bejtës

18.08.2016 15:27:37

Nesër në Galicë të Drenicës bëhet rivarrimi i eshtrave të familjarëve të heroit kombëtar Azem Bejta.

96 vite më parë, në gushtin e vitit 1920 ushtria serbe , në fshatin Duboc të Drenicës, kishte pushkatuar nënën e Azemit, Sherifen 60 vjeçare, motrën e tij, Mihanën 38 vjeçare, mbesën e tij, Zojën 5 vjeçare dhe një grua tjetër nga fshati Baicë.

Kjo masakër ishte pjesë e planit që kishte vënë në zbatim qeveria e Nikola Pashiqit për dobësimin e kryengritjes në Drenicë përmes eliminimit të familjeve të luftëtarëve të përfshirë ne kryengritje. Gjatë asaj vere Azem Bejta me çetat e tij kishte arritur të shkatërronte të gjitha stacionet e xhandarmërisë serbe në rajonin e Drenicës.

Për 96 vite eshtrat e familjarëve të Azem Bejtës kishin qëndruar në një varr të përbashkët të pashenjuar në fshatin Duboc, por për të cilin ishte ruajtur kujtesa popullore.

Ceremonia e rivarrimit do të zhvillohet nesër në Galicë duke filluar nga ora 10:00.