Nesër në Kuvend, deputetët shqyrtojnë buxhetin për vitin 2018

05.12.2017 00:01:04
Pas pauzës për zgjedhjet lokale, seancat plenare në Kuvendin e Kosovës kanë filluar të zhvillohen normalisht.

Pas dy seancave që u mbajtën javën e kaluar, puna e deputetëve pritet të vazhdojë edhe nesër.

Në mesin e disa projektligjeve, nesër Kuvendi do ta shqyrtojë edhe Buxhetin për vitin 2018.

Veç nesër, seancë do të ketë edhe më 7 dhjetor.

Mbledhja e nesërme. do të mbahet nga ora 10:00.

Këto janë pikat e tjera të rendit të ditës.

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018,

-Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

-Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për financim shtesë për Projektin për bujqësi dhe zhvillim rural ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,​

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Të kujtojmë se Kuvendi ka shtyrë disa seanca për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm, mbi 61, të deputetëve për të marrë vendime të ligjshme, herë të opozitës, herë të pozitës.

Për këtë javë më herët është paralajmëruar mbajtja e dy seancave, nga të cilat njëra për nesër dhe tjetra për datën 7 dhjetor.