Nesër vendoset nëse trupat zvicerane mbeten në Kosovë edhe pas vitit 2020

07.06.2017 21:48:27

Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës, nesër (e enjte) do të vendosë për ose kundër vazhdimit të misionit zviceran të paqes, Swisscoy në Kosovë.

 

Më parë Këshilli Federal (qeveria e vendit) kishte vendosur për vazhdimin deri në fund të vitit 2020, me reduktime që do të bëheshin gradualisht.

Për Swisscoy-n deri më tash kanë shërbyer rreth 5000 ushtarë zviceranë, nga gjysmë viti, në baza vullnetare, shkruan blick.ch. Kostoja e deritashme e gjithë misionit zviceran atje ka arritur në rreth 700 milionë franga.

Duke qenë se vendimi për vazhdim nga ana e qeverisë ishte marrë vetëm për tri vitet në vijim,  ai duhet të përsëritet, gjegjësisht të vërtetohet secilin vit të kësaj periudhe. Kështu, tash për tash ende nuk është e qartë nëse trupat e Zvicrës do të mbeten në Kosovë edhe pas vitit 2020 ose jo. Kjo, veç tjerash edhe për faktin se nesër në parlament do të votohet lidhur me dy kërkesa parlamentare që kërkojnë tërheqjen pas vitit 2020.

Kërkesa e parë vjen nga deputeti nacional i Lëvizjes Qytetare të Gjenevës, Roger Golay, i cili bën pjesë në grupin parlamentar SVP/UDC, transmeton albinfo.ch. Ai pra kërkon që pas vitit 2020 të mos ketë më vazhdim të qëndrimit të trupave zvicerane në Kosovë.

Po ashtu përfundim të misionit kanë kërkuar edhe deputetët e gjelbër: Lisa Mazzone dhe Balthasar Glättli. Por për ndryshim nga Golay, këta kërkojnë që misioni të kalojë në kompetencat e Ministrisë së Jashtme dhe të shndërrohet në një mision që do të mbështesë projekte të zhvillimit në Kosovë.