Nga 2018, kater vendet e para me 4 skuadra ne Champions

23.03.2017 18:23:42

Tashmë është zyrtarizuar edhe nga UEFA: nga viti 2018 në Champions League që në fazën e grupeve do të marrin pjesë katër ekipe nga katër kampionatet me të forta në Europë. Anglia, Spanja, Gjermania dhe Italia  do të përfaqësohen me nga katër skuadra pa qenë nevojë që ndonjëra prej tyre të të luajë në fazën paraeliminatore apo në Play-Off. Nga rregullat e reja të qeverisë europiane të futbollit përfiton më shumë futbolli italian, që edhe për sezonin 2017-2018 do të përfaqësohet me vetëm 2 skuadra në fazën e grupeve dhe një tjetër në fazën Play-Off të Championsit. Përfitimi ka ardhur falë klasifikimit të ri të kampionateve europiane në fund të sezonit 2016-2017, që në fakt është kristalizuar pas 1/8 ave të Championsit. Në renditjen përfundimtare merren parasysh ecuria në 5 sezonet e fundit nga 2012 deri në 2017-ën.

UEFA shpjegon se në bazë të përllogaritjeve të reja, vendi i pestë dhe i gjashtë në listën e kampionateve më të forta do të përfaqësohen me, 2 ekipe në fazën e grupeve dhe 1 në raundet paraeliminatore. Pavarësisht se cfarë do të ndodhë në fazat e mbetura dhe se cila skuadër do të triumfojë në Champions apo Europa League, Anglia, Spanja, Gjermania dhe Italia janë konfirmuar në katërshen e parë. Për Francën dhe Rusinë janë vendet katër dhe pesë.

Humbet nga kjo përllogaritje e re Portugalia. Vendet nga vendi i shtatë deri në të 10-in do të dërgojnë vetëm një skuadër në fazën e grupeve të Championsit, ndërsa vendi i dytë në kampionatet respektive, ku përfshihen edhe Ukraina, Belgjika dhe Spanja,  do të luajë në fazat pareliminatore. Skuadrat kampione në Ceki dhe Zvicër ndërkohë do të shortohen në fazën Play-Off.