Nga e hëna Kosova hyn në procesin e finalizimit të demarkacionit me Malin e Zi

01.12.2017 17:48:14

Qeveria e Kosovës ka vendosur që në mbledhjen e saj të së hënës, si pikë të rendit të ditës ta shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe raportin e vlerësimit të punës së ish-Komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit Kosovë – Mali i Zi.

Po të njëjtën ditë Qeveria pritet ta dërgojë në Kuvend Projektligjin për Demarkacionin, për të cilin kryeministrit Ramush Haradinaj kishte thënë se beson se do të hidhet poshtë nga Kuvendi.

Duke folur për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, si kusht kryesor nga BE për heqjen e vizave, Haradinaj ka thënë se pas shqyrtimit të raportit nga komisioni do të vazhdojë me procedim në Kuvend, shkruan lajmi.net.

“Ka një dinamizëm… Për temat që po i flasim, rend e ligj, në luftën kundër korrupsionit, ju e dini që është një punë dinamike. Sa i përket demarkacionit do të shohim se si do të procedojë javën që vjen. Komisioni ka ardhur me të gjeturat e veta”.

“Ne besojmë të hënën e diskutojmë në qeveri, pastaj e procedojmë më tutje. Nuk po jap datë menjëherë kur, por jemi në pritje të konfirmimit për heqjen e regjimit të vizave. Po presim të hënën dhe të mos bëjmë përgjigje hipotetike”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, menjëherë pas diskutimit në Qeveri për Marrëveshjen e Demarkacionit, ajo do të procedohet në Kuvend bashkë me raportin e komisionit të ri të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi.