Nga Kukësi në kryeqytet, java e 26-të mbyllet me dy superndeshje

19.03.2018 13:27:57

Dy supersfida për të ulur siparin e javës së 26-të. E hëna e Superiores, vjen me dy ndeshje interesante të cilat pritet të jenë shumë të rivalizuara. Në orën 14:00 Kukësi pret Vllazninë në Zeqir ndërsa 17:00 luhet dueli më i fortë ai mes Partizanit dhe Flamurtarit.

Një skuadër në kërkim të një sistemi më argëtues loje përballë një ekipi që është përfshirë nga periudha më e errët e sezonit. Sfida mes Partizanit dhe Flamurtarit e 3-ta në më pak se dy muaj mes kampionatit dhe Kupës do të shohë ndoshta për herë të parë të avantazhuar skuadrën e kuqe.

Javët e fundit, pavarësisht se erdhi ndryshimi në drejtimin teknik me largimin e Starovës dhe ngjitjen në pozitë të Dalipit, Partizani ka treguar një fytyrë më tërheqëse dhe këtë e konfirmoi edhe të mërkurën në Shkodër, ku megjithëse nuk arriti të shkonte më shumë se sa një barazim pa gola, loja e paraqitur e shton optimizmin tek tifozët.

Demat vijnë të plotë në këtë sfidë dhe Dalipi pritet të mos prekë asgjë nga formacioni që zbriti në fushë në ‘Loro Boriçi’, pra me Bathën e Trashin në rolin e digës dhe me treshen Mala, Asani e Bardhi në mbështetje të Prognit që edhe një herë do të mbulojë rolin e qendërsulmuesit.

Ndërkohë që kuqezinjtë nuk po shohin më dritë në fund të tunelit, vetëm 2 pikë në 5 javët e fundit është një kuotë e denjë për pozicionin e fundit të renditjes dhe jo për një ekip që synon Ligën e Europës.

Mungesat kanë qenë një nga problemet kryesore dhe për këtë takim trajneri Duro ka rikuperuar shërbimet e Bushiç dhe Nedjelkoviç, megjithatë situata mbetet kritike, pasi tekniku nuk do të ketë mundësinë të aktivizojë për shkak pezullimi as Ditmar Bicajn dhe Siljanovskin, pa llogaritur që ende jashtë për shkak dëmtimi janë portieri Nurkoviç, Muarem dhe Tunkara.

Vlonjatët kanë një trend pozitiv ndaj të kuqve në këtë edicion, ku kanë fituar 3 nga 4 ndeshjet e zhvilluara, megjithatë duket se kësaj here 3 pikët përballë Partizanit do të jenë një mision shumë i vështirë.

Kukësi i këtij sezoni ka pësuar disa pengesa rrugës, që nga koha e Milinkoviç e deri tani që në duar e ka skuadrën Peter Pacult. Kampionët ishin përfshirë nga një rrjedhë pozitive prej 4 fitoresh dhe një barazimi në 5 javët e fundit, por kur u duk se gjithçka po shkonte më në fund në vijën e duhur, erdhi ‘grushti’ në Gjirokastër ndaj Luftëtarit.

Blutë nuk treguan thuajse asgjë në transfertën e qytetit të gurtë dhe presioni tashmë është rikthyer tek kuksianët. Objektivi i vendit të dytë është shumë i rëndësishëm dhe përballja e radhës kundër Vllaznisë mund të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e veri-lindorëve. Në 2 sfidat e shkuara ndaj shkodranëve ka ardhur një barazim në “Zeqir Ymeri” dhe një fitore në premierën e Pacult, megjithatë skuadra e ish-it më të madh të këtij dueli, trajnerit Gjoka, nuk është më ajo e fazës së dytë.

Probleme dëmtimesh nuk ka për Kukësin, teksa klubi ka paguar edhe pjesën e mbetur të dënimit të Idrizit, i cili do të jetë titullar dhe me shumë gjasa do të spostohet përpara duke marrë vendin e Ethemit. Mesfushori nga Pallatica e Maqedonisë nuk ka bindur javët e fundit dhe do ta nisë nga stoli. Pjesa e sulmit mbetet e pandryshuar me Shkodrën në mbështetje të golashënuesit Sindrit Guri.

Në anën tjetër ka probleme formacioni për Gjokën, pasi çështja Malota ende nuk është sqaruar dhe lojtari nuk do të jetë pjesë e takimit, ndërkohë në dyshim për shkak dëmtimi është prania e Vucajt dhe Krymit. Tekniku 48-vjeçar ka ende pikëpyetje për qendrën e mbrojtjes, e cila mund t’i besohet njërit mes Orelesit dhe Pjeshkës.

Nëse Vucaj nuk ia del, atëherë vendin e tij në mesin e fushës do ta marrë Arlind Kalaja dhe sigurisht në udhëheqje të sulmit do të jetë Xhevahir Sukaj. Kuqeblutë po luftojnë për t’i shpëtuar makthit të rënies në Kategorinë e parë dhe për momentin kanë një diferencë prej 4 pikësh me Teutën. Objektivat janë shumë të rëndësishëm për të dy ekipet dhe ky duel pritet të ofrojë luftë në çdo sektor të fushës.