Nga qetësia e dashuria te sulmi – Meta s’kursen SHBA dhe BE: T’iu vijë turp!

02.07.2019 13:31:42

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka folur me tone të ashpra dhe shpërthyese ndaj partnerëve të Shqipërisë, SHBA e BE, teksa foli për protestat disamujore të opozitës, të cilat u kritikuan herë pas here nga ndërkombëtarët.

Kreu i Shtetit tha se ndërkombëtarëve duhet t’iu vijë turp që nuk ndërhynë kur policia dhunoi Sekretarin Organizativ të PD, Sait Dollapin, gjatë protestës së opozitës, si dhe për faktin që nuk kritikuan asnjëherë mazhorancën, që sipas Presidentit ka përgjegjësinë kryesore ndaj qytetarëve.

“Ka njeri që nuk i kupton këto kurthet! Si nuk iu vjen turp ndërkombëtarëve. Kam ndërhyrë pesë herë kur u rrëzua ai zoti. Sait Dollapi aty. Po ndërkombëtarëve si nuk iu vjen turp që nuk ndërhynë. Nuk e panë ata se që nga mitingu i parë e deri tek i fundit, provoko ai, provoko dhe këta. Po mirë ata që janë në opozitë, po ky nuk ka përgjegjësi ndaj tyre, ndaj dhjetëra-mijëra që paguajnë taksa. Qeveria ka përgjegjësi.

Ndërkombëtarët shohin vetëm problemet e opozitës dhe jo të mazhorancës. Po letrat që i bëri për dialog. Unë ia krijova mundësinë për dialog, pse nuk erdhi? Të vinte këtu dhe të thoshte “unë nuk iki, të gjejmë zgjidhje, të shkojmë në zgjedhje lokale normale”. Nuk e bëri këtë. Më thoshte “nuk vij të të takoj, por nga e hëna (1 korriku) shihemi. Për fat të mirë zgjedhjet përfunduan pa përplasje. Parlamentin e ka krejt socialist, vetëm Lefter Maliqin kam parë të opozitës, tani edhe bashkitë, edhe këshillat vetë, drejtësinë. Të dalim e t’i biem dajres”, deklaroi Meta.