Nga tetori Kosova me kod telefonik dhe opertaorë serbë

10.09.2016 13:49:58

Kosova do të marrë kodin telefonik shtetërorë +383 në fillim të muajit tetor, njëkohësisht nga fillimi i tetori pritet të licencohet një operatorë serb mobil që do t’i ketë operimet e kufizuara.

Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për KosovaPress, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare  (ARKEP), Kreshnik Gashi. Të martën e ardhshme në Bruksel do të mbahet takimi përfundimtarë për çështjen e kodit telefonik. Gashi ka pranuar se ka operime ilegale në pjesë të caktuara të Kosovës.

Ai tha se tashmë pala serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të heqë bllokadën në ITU.

“Që nga java e ardhshme, pala serbe do ta heq këtë bllokadë dhe Kosova mund të pajiset me kod në fillim të tetorit të këtij viti. Pritet që me përfundimin e këtij raundi të fundit për telekomin të arrihet marrëveshje që në tetor të këtij viti të publikohet në ITU, dhënia e kodit telefonik për Kosovën. Të martën e ardhshme, më datën 13 shtator pritet të mbahet takimi përfundimtare për çështjen e kodit telefonik. Sigurisht janë mbajtë një varg takimesh dhe pala kosovare qysh në fillim të këtij viti i ka përmbushur gjitha obligimet që ka pasur në raport me dialogun shtetëror me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në lidhje me telekomin, ka qenë pala serbe e cila e ka bllokuar dhënien e kodit për Kosovën deri më tani nëpërmjet mekanizmave të tyre në ITU”, tha Gashi.

Gashi ka shtuar se sipas marrëveshjes, do të licencohet një operator mobil serb i cili do të ketë licencë të përkohshme deri në shpalljen e tenderit për operatorë të tretë mobil në Kosovë.

“Do të kemi një operator të përkohshëm i cili operon në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës, kanë operuar ilegalisht tre operator ilegal, kjo është e përcaktuar në bazë të marrëveshjes së telekomit dhe planit të veprimit nga dy kryeministrat. Gjithashtu, kjo pritet të ndodh me kompletimin e kësaj marrëveshje dhe marrjen e kodit telefonik për Kosovën. Operatori do të filloj të funksionoj legalisht në Kosovë, aktualisht ka operime ilegale në pjesë të caktuara të Kosovës, mirëpo, marrëveshja për telekomin e parasheh normalizimin e plotë të sektorit të telekomit në Republikën e Kosovës, do të thotë do të kemi një operim të përkohshëm i cili do të largohet nga Kosova me hyrjen e operatorit të tretë …. Procedurën e aplikimit ata e kanë filluar në janar të këtij viti, mirëpo, ende nuk është arritur marrëveshja e plotë si do të operojnë plotësisht ata në Kosovë.”, tha Gashi.

Kryetari i ARKEP, bënë të ditur se të gjithë operatorët mobil dhe shërbimet e telekomunikimit janë të obliguar të shfrytëzojnë prefiksin e ri të Kosovës +383.

“Çdo operator tjetër dhe telefoni fikse në Kosovë do të obligohen ta përdorin një prefiks që do të jetë prefiksi i Kosovës 383, edhe pala serbe edhe operimi i tyre do të obligohet ta shfrytëzoj prefiksin e Kosovës 383, sigurisht operimi i tyre do të jetë i limituar në disa zona të caktuara, në lokacionet aktuale ku ata vetëm janë duke operuar . “, tha Gashi.

Kodi telefonik për Kosovës është dashur të jepet në fillim të këtij viti por pala serbe ishte ajo që kishte bllokuar këtë proces.