Ngec reforma në drejtësi, “vetting-u” prish paqen PS-PD

28.07.2016 09:52:04
Pas paqes 6 ditore, përfaqësuesit e shumicës dhe opozitës në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi i janë rikthyer avazit të vjetër me akuza të ndërsjella. Përlasja mes palëve ka ardhur për shkak të ligjit të ripunuar të vetting-ut nga EURALIUS, të cilët kanë kërkuar nga komisioni i posaçëm të reformës në drejtësi të përmbyllin në kohë. Ky ligj ka të bëjë me nisjen e punës së prokurorëve që do merren me procesin e vetting-ut. Shumica pretendon se drafti i ripunuar pas ndryshimeve kushtetuese i është dërguar anëtarëve të Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, me qëllim që të kalojë në Kuvend sa më shpejt. Por ndërkohë, opozita ka bërë të ditur se kërkon më shumë kohë për ta shqyrtuar draftin dhe pas kësaj do të ketë një qëndrim. Këto mesa duket janë shenjat e një përplasjeje të re politike, edhe pasi reforma në vetvete u miratua në seancën maratonë të 21 dhe 22 korrikut.

Zbardhet

Përfaqësuesit e djathtë të Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi e kanë marrë draftin që në 4 korrik. Midis tyre edhe Oerd Bylykbashi. Në email-in e siguruar nga “Shekulli”, thuhet se  bashkëlidhur u është dërguar edhe projektligji i ripunuar nga EURALIUS për vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Kjo rrëzon pretendimet e demokratëve se e kanë marrë me vonesë draftin e veting-un. Një pretendim tjetër i opozitës ka qenë se duhet pritur që të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese. Megjithatë, është precedenti i ligjit për dekriminalizimin, që u miratua me konsensus. Më 17 dhjetor 2015 u miratuan edhe ndryshimet kushtetuese edhe ligji për dekriminalizimin. Një ditë më pas, më 18 dhjetor, presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi edhe ndryshimet kushtetuese, edhe ligjin përkatës. Pra nuk ka asnjë pengesë për diskutimin e ligjit, projekti i të cilit është edhe në faqen online të Komisionit për reformën në drejtësi.

Replika

Kryetari i komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj tha se PD është njohur me projektligjin për vetting-un që në datën 4 korrik dhe sipas tij, çdo pretendim se nuk ka kohë të mjaftueshme për t’u njohur me ligjin është një gënjeshtër. Ai tha se u ka dërguar të gjithë anëtarëve të tij draftin me ndryshimet, së bashku me thirrjen për mbledhjen e komisionit për t’i aprovuar ato. Sipas tij, askush nuk duhet të thotë se nuk ka pasur kohë ta studiojë. Në deklaratën e tij për media, Xhafa shtoi se ka një presion të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët, BE dhe SHBA, për të miratuar sa më shpejt ligjin e vetting-ut, i cili është më i rëndësishmi ndër 7 ligjet e paketës, pasi i hap rrugë edhe implementimit të ligjeve të tjera. Sipas tij, hartimi e më pas edhe zbatimi i këtij ligji, është një punë e përbashkët me partnerët ndërkombëtarë, pasi ata janë tashmë edhe subjekt, pra palë në zbatimin e këtij ligji.

“I kam dërguar një njoftim anëtarëve të komisionit, por jo thjesht njoftim për mbledhje por dhe projektin, relacionin dhe shtojcat që shoqërojnë projektin. Ligji për vetting-un është një nga 7 ligjet kryesore të paketës që shoqërojnë projektin kushtetues. Është një gënjeshtër nga të gjithë ata që kanë pretenduar se nuk kanë kohë për ta njohur ligjin. Ajo që është dërguar dje janë reflektimet që i janë bërë projektligji bazuar në ndryshimet e fundit kushtetuese. Kanë qenë në dijeni që në datën 4 korrik për përmbajtjen e këtij pr/ligji. Ky projekt ligj është i gatshëm për tu votuar dhe për të kaluar në seancë plenare,” deklaroi Xhafaj. Ai theksoi se qëndrimi i opozitës dhe ultimatumet e saj nga studiot televizive për 7 ligjet me ndryshimet kushtetuese që u dekretuan dy ditë më parë nga presidenti Nishani, nuk kanë kuptim.

Xhafaj, në mënyrë të tërthortë la të nënkuptohej se po tenton të prishë konsensusin e arritur më 21-22 korrik, kur u miratuan edhe ndryshimet kushtetuese. Teksa u pyet nga gazetarët në lidhje me vendimin e kryetarit të Kuvendit për të pezulluar takimet në SHBA dhe për të ardhur në Shqipëri për shkak të klimës politike, ku sipas tij po tentohet të prishet konsensusi i arritur mes palëve, Xhafaj tha se komentet e PD-së rëndojnë klimën politike. Nga ana tjetër Xhafaj shprehu keqardhje për mosprezencën e anëtarëve të opozitës në Komision. “Nuk e di këtë por më vjen keq që PD i kanë ndërprerë zotit Meta vizitën. Janë shpallur nga Presidenti i Republikës, janë botuar sot në fletoren zyrtare, por çdo fuqi të ligjit duhet të jetë për datën kushtetuese. Duhet të ketë një rregull.

Për tu bërë efektive kërkon 15 ditë kohë. Rëndësi ka vullneti për këtë proces. PD dhe komisionerët e saj duhet të kishin ardhur në komision dhe nuk do kishim situata të tilla paradoksale, siç është kjo telenovela që janë mësuar të shohin shqiptarët. 7 ligjet nuk u shkëputën. Ato janë të 7-ta ligjet dhe askush s’do e kishte menduar që koha e shkurtër, bëhet e pamundur që në 28 korrik të miratohen të 7-ta ligjet. Nëse opozita do kishte marrë pjesë në komision do ishte e lehtë, por nuk erdhi. Ligji për ‘Vetting-un’ është ligji pararendës për reformën. Duhet të nisë procesi i ‘Vetting-ut’ më pas duhet të nisë puna. Që ky proces të fillojë ndërkombëtarëve do i duhet punë të zgjedhin prokurorët ndërkombëtarë. Jam i shqetësuar nga deklarimet publike të PD të cilat e rëndojnë klimën politike, do ishte më mirë që ata ta përforcojnë këtë proces se sa të bëjnë deklarata. Zgjidhja më e mençur është që të ulen në komision për të ecur përpara”, theksoi Xhafaj.

Bykybashi: Procesi i vetting-ut po kryhet i njëanshëm

Nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi ka reaguar në lidhje me ftesën e Fatmir Xhafajt për projektligjin e “Vetting-ut”. “Lexova një reagim të Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi. Normalisht dikush do të habitej pse ftesa jonë për konsensus i nervozon përfaqësuesit e mazhorancës. Në fakt “pse”-në e kupton kushdo me arsye; thjesht nuk e duan sepse u prish hesapet që nisën me kohë, por që ua prishën Opozita, Komisioni i Venecias, propozimi hibrid i zj. Nuland, letra e Komisionerit Hahn dhe votimi me konsensus me 22 korrik”, shprehet Bylykbashi. Nënkryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi ka theksuar se përfaqësuesit e opozitës po punojnë me intensitet mbi draftin e shpërndarë vetëm një natë më parë.

“Opozita është e gatshme të kontribuojë me konsensus, tani! Ekspertët e saj po punojnë me intensitet mbi draftin që Kryetari i Komisionit shpërndau vetëm mbrëmë në ora 22:20 të datës 26 korrik, ndërkohë pretendonte të bënte mbledhje sot (dje). Imagjinoni çfarë transparence ka ky proces, transparencën e errësirës, të faktit të kryer dhe afateve ultimative”, tha ai, duke shtuar se opozita po punon për të përmbyllur ligjin e vetting-ut. Ai e cilëson si gafë juridike miratimin e ligjit këtë javë pa hyrë në fuqi amendamentet kushtetuese. “Të pretendosh që Parlamenti mund të miratojë ligjin këtë javë pa hyrë në fuqi amendamentet kushtetuese më datë 11 gusht, është një gafë që as ai që ka mbaruar juridikun pa shkëputje nga puna dhe natën, nuk e bën. Pra është provokim politik për konsum mediatik. Ftesë: durim, gatishmëri për konsensus, vullnet pozitiv dhe respekt i kushtetutës! Sa për kujtese, komisioni ka 5 anëtarë të mazhorancës dhe 5 të opozitës, pra është histori konsensusi dhe jo protagonizmi kryetarësh”, theksoi Bylykbashi.

Vlahutin: 11 gushti afati për të mbledhur Kuvendin

Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, ka folur mbi emergjencën e miratimit të 7 ligjeve që do të bënin të mundur zbatimin e reformës në drejtësi. Ajo ka thënë se data më e afërt për të mbledhur parlamentin dhe për të miratuar ligjet do të jetë 11 gushti. Gjithashtu ajo i ka bërë thirrje deputetëve për t’i dhuruar pushimet e tyre shqiptarëve, duke punuar gjatë verës për këto ligje. “Nuk ka konfuzion, ajo që ka ndodhur është që presidenti ka nënshkruar dekretin dhe unë e di që në fletoren zyrtare janë publikuar edhe këto amendamente, por duhen 15 ditë për të hyrë në fuqi dhe fatkeqësisht derisa të përfundojë kjo periudhë 15 ditore nuk ka procedurë apo mundësi në mënyrë që ligji i veting-ut të kalojë. Po, edhe në këto kushte nuk është e mundur. Unë kam biseduar me zotin Meta që në kontakt me të dhe e kam pyetur që kur mund të jetë data më e hershme që mund të thirret parlamenti, pasi është e rëndësishme që ne të ecim përpara dhe mendoj që është data 11 gusht e cila është data e parë kur këto amendamente kushtetuese do të hyjnë në fuqi.

I bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që si dhuratë t’i lënë pushimet e tyre dhe të kthehen në kuvend dhe të punojnë për këtë paketë në mënyrë që ne të ecim përpara sa më shpejt me zbatimin”, tha Romana Vlahutin në emisionin “Tonight”. Përsa i përket vetting-ut, ajo tha se do të ketë 7 ose 8 gjyqtarë nga BE të cilët do të marrin pjesë duke ndihmuar në këtë proces, të cilët do të koordinohen nga Brukseli. “Nuk ka zyrë në Bruksel që të jetë krijuar të udhëhiqet Brill, është një gjë tërësisht tjetër, është një mekanizëm bashkërendimi, i cili përfshin kolegët tanë në selinë qendrore që vjen nga drejtoria e përgjithshme e zgjerimit por edhe nga drejtoria e përgjithshme e drejtësisë. Për momentin ideja është që do të jenë vetëm nga shtetet anëtare të BE  përsa i përket anëtarëve të Komisioneve të Vettingut, por natyrisht do të ketë shumë asistencë nga kolegët tanë amerikanë kur të vijë puna te disa  elementë të tjerë, psh që do të kontrollohet e kaluara e personave etj etj.

Ne sipas përllogaritjeve tona themi se do të jenë 7-9 gjyqtarë të nivelit të lartë dhe pastaj një numër i mad hi stafit asistues”, Vlahutin. Kreu i delegacionit të BE tha gjithashtu se BE do t’i qëndrojë standardeve të kërkuara për të bërë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve sado të ashpra të jenë ato.  “Unë mendoj që këto janë standardet në gjyqësore të tjerë. Është e tërësisht e panatyrshme që një gjyqtar apo një prokuror të ketë çfarëdo lloj kontakti me njerëz që janë anëtarë të krimit të organizuar sepse këto janë standarde që aplikohen në vendet e BE-së”, tha ajo. Së fundmi, ambasadorja Vlahutin ka shuar zërat për një largim të mundshëm të saj edhe për këto 2 vjet dhe ka paralajmëruar se muajt që vijnë do të jenë më të vështira se ato që ikën.

Isuf Kurtaj