Ngjyrat e mia në udhëkryq: poezi nga Iliriana Sulkuqi

09.06.2019 17:02:59

-intermezo-
(Në Vendin tim, edhe semafori
duhet të ketë tjetër kuptim…)

Kur e “gjelbra”, duke pritur,
më shfaqet si shteg…
Humbas nëpër pyje
ku ëndrra më ndjell…

Kur m’fekset e “kuqja”
drejt e në sy –
eci si e marrë
udhëkryq m’udhëkryq…

Përse kjo ngjyrë gjaku
pas shpirtit më ndjek,
si Flamur përflakur,
si një shpirt që dhemb?

Edhe kur buritë
makinat lëshojnë,
janë si manifest,
jo për një kufomë…

Ti, mos u çudit
vendi im pa zgjim,
se kështu më ndodh
dhe në Amerikë…

Sa herë kur udhëkryqet
me t’“kuqen” kaloj,
ma njohin të “kuqen”
që s’njeh semafor…