Ngriten çmimet e shërbimeve të transportit publik në Kili, qytetarët demonstrojnë – policia shkel dhe tërheq zvarrë një demonstrues

21.10.2019 09:23:52

Demonstratat dhe dhuna në Kili është duke vazhduar edhe sot, edhe pse presidenti i vendit ka hequr dorë nga propozimi për të ngritur çmimin e biletave për udhëtimin me metro.

Ora policore është zgjatur për shkak të dhunës që po vazhdon, kurse në një video mund të shihet se si veturat e policisë shpërndajnë demonstruesit me ç’rast shtyp një burrë me automjet që për disa metra e tërheq zvarrë nën rrota.

Në anën tjetër, njësi të shumta të policisë kanë shpërndarë masën me topa uji dhe gaz lotsjellës, e zjarri shpërtheu në një market ku si rezultat kanë humbur jetën dy persona dhe një tjetër u lëndua rëndë.

“Në një market në San Bernand kishte ndodhur një plaçkitje dhe zjarrvënie, ku humbën jetën dy gra dhe e treta ka pësuar djegie në mbi 75 për qind të trupit”, ka deklaruar ministri i Brendshëm kilian, Andres Chadvik.

Për shkak të demonstratave dhe dhunës janë anuluar të gjitha fluturimet nga kryeqyteti, duke i lënë mbi 1,400 pasagjerë të ngujuar në aeroport.

Kujtojmë që e gjitha filloi të premten për shkak të ngritjes së çmimit të shërbimeve të transportit publik, duke shkaktuar zemërim tek qytetarët.

Pasi që situata doli nga kontrolli, demonstruesit filluan të shkatërrojnë gjithçka që u dilte përpara, ku vetëm deri më tani dëmet materiali vlerësohet se kapin shumën e miliona dollarëve.

Në anën tjetër presidenti kilian Sebastian Pinera ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Santiago, duke i dhënë një detyrë ushtrisë – të vë rregull.

Gjithashtu Pinera ka bërë të ditur se ka hequr dorë nga ideja e ngritjes së çmimit në veçanti për metronë që ishte vënë dy javë më parë.