Ngritja profesionale e psikologëve dhe roli i tyre

16.09.2018 15:01:42

Shkruan: Latif Hoxha

Të kuptuarit e çrregullimeve psikologjike

Për aq sa është popullore, psikologjia është edhe enigmatike, për vetë faktin se çrregullimet psikologjike ndonjëherë edhe keqinterpretohen edhe nuk kuptohen si duhet. Këtu flas për rastet kur një person ka një humor depresiv dhe thotë se ka depresion, ose kur dikush ndjehet i mërzitur dhe thotë se ka depresion, ose kur dikush ka frikë dhe thotë se ka një lloj ankthi, mirëpo mendoj se ne si psikologë, nuk e shohim vetëm një aspekt të kësaj çështje sepse edhe sipas përkufizimit të APA-së, çrregullim do të thotë që të kesh një pasqyrë të caktuar klinike me një grumbull simptomash, e këto simptoma duhet të jenë përsistente për një periudhë të caktuar kohore, të kenë një intensitet të caktuar dhe ajo që është më e rëndësishme, dëmtojnë funksionin ditor, profesional, social e emocional të individit.

Ngritja profesionale e psikologëve dhe roli i tyre

Ndonëse ka një udhëzim administrativ të vitit 2011, nuk ka një instalim të mjaftueshëm të këtyre shërbimeve në shkolla, pasi që në vendin tonë operojnë rreth 87 psikologë shkollorë, mirëpo duhet pasur parasysh që nga klasa e parë deri në klasën e nëntë kemi një numër të nxënsve prej 260 mijë nxënës, në diku 700 institucione shkollore. Ky numër i psikologëve është jashtëzakonisht i vogël kur krahasohet me nevojat dhe numrin e madh të nxënësve dhe në bazë të informacioneve që kam, disa mjete ndahen në baza vjetore nëpër të gjitha komunat e Kosovës për punësimin e rreth 400 psikologëve, po këto ndahen në komuna dhe komunat pastaj janë ato që bëjnë zotimet e këtyre mjeteve dhe varësisht si e bëjnë zotimin e këtyre mjeteve edhe punësohen një numër i caktuar i psikologëve, e kjo sa është e nevojshme psikologu në shkolla, bëhet sipas vlerësimit të nivelit komunal dhe po mendoj se një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë për punësimin e këtyre psikologëve e kanë qeveritë lokale. Sa i përket psikologëve klinikë, ka një udhëzim administrativ të vitit 2011, pastaj një tjetër të modifikuar në vitin 2014 etj, të cilët flasin për specialistë, psikologë klinikë dhe licencimin e tyre.

Çfarë i duhet një psikologu që të ketë të drejtë të ushtrojë profesionin?

Nëse bëhet fjalë për shërbimet psikologjike në shkolla, atëherë kërkohet minimalisht një mastër në Psikologji Shkollore ose Psikologji Këshillimi, por nëse bëhet fjalë për mjediset klinike atëherë kërkohet që të ketë një mastër në Psikologjinë Klinike dhe, natyrisht, të jetë i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, që të ketë të drejtë pune në të dyja këto drejtime, por është e domosdoshme të ketë një praktitkë paraprake, do të thotë praktikë e supervizuar nga profesionistë me përvojë, të cilët do ndajnë përvojat e tyre me psikologët e rinj të cilët përgatiten për këto fusha.

Nevoja për psikologë në Kosovë

Në një situatë të pasluftës natyrisht se nevoja për trajtime dhe intervenime psikoterapeutike është më e madhe sesa në një situatë paqeje, por gjithsesi traumat e shkaktuara nuk janë njëjtë për të gjithë, pasi që një pjesë e njerëzve janë pakëz më rezilientë dhe e marrin veten më lehtë, një pjesë tjetër natyrisht janë pakëz më sensibilë, më të ndjeshëm dhe pësojnë në këtë aspekt dhe po mendoj që lufta është një faktor që ka imponuar më shumë intensitet në punën tonë. Por kjo nuk është gjëja e vetme, meqë faktorët ekonomikë dhe papunësia gjithashtu kanë ndikuar që njerëzit të përballen me çrregullime të ndryshme psikologjike. Një tjetër çështje, që ndoshta është me rëndësi të përmendim është që ne si shoqëri kemi qenë një shoqëri kolektiviste, ku kohezioni familjar ka qenë shumë i lartë, por pas luftës jemi dëshmitarë se një kohezion siç ka qenë para luftës nuk është tanimë, sepse po synojmë drejt një shoqërie individualiste, ku jeta është më dinamike dhe njerëzit nuk kanë shumë kohë për njëri-tjetrin, rrjedhimisht edhe familja komunikon shumë më pak.

Miku vs Psikologu

Miku mund të jetë mjaftueshëm i përshtatshëm për t’u rrëfyer dhe mund të jetë mjaft konfidencial. Një mik i mirë është një person të cilit mund t’i rrëfeheni dhe t’i hapni zemrën, mirëpo, implikimet ligjore nëse thyhet konfidencialiteti nuk janë të njëjta. Së pari, nëse ju i rrëfeheni një mikut tuaj dhe në një moment të caktuar keni një përqarje ose keni një mosmarrëveshje, miku mund t’ju godasë aty ku ju dhemb më së shumti dhe mund të nxjerrë informacionin në shesh, ndërkaq e tëra që mund të bëni ju është të linçoni mikun, t’i thoni, ok më nuk jeni miku im dhe nuk dua të kem kontakt me ty dhe kjo është e tëra, por në rast se psikologu e nxjerr informacionin, atëherë kjo ka pasoja ligjore, për arsye se në bazë të Kodit të Etikës ne rekomandohemi që me çdo mënyrë të ruajmë informacionin e ndjeshëm të klientëve tonë.

Konfidencialiteti

Ka raste kur konidencialiteti thyhet, ka raste kur lëshohet një informacion i ndjeshëm, dhe këto raste janë shumë specifike, p.sh, nëse një klient i yni shfaq indikacione se mund të dëmtojë veten, nëse shfaq indikacione se mund të lëndojë dikë tjetër, apo nëse kemi indikacione se një i mitur po abuzohet seksualisht, psikologjikisht e fizikisht nga një i rritur, atëherë ne jemi të prirur dhe jemi të thirrur ligjërisht që të nxjerrim informacionin, do të thotë të lajmërojmë familjen, të lajmërojmë organet kompetente. Pra në këto raste informacioni nuk ruhet.

Klerikët fetarë

Nëse shohim aktivitetin e klerikëve fetarë këtu, të hoxhallarëve, priftërinjve, pastaj edhe të tjerëve, mendoj se nuk duhet parë si diçka konkurente. Unë personalisht jam i idesë që të promovohet ajo që klerikët fetarë janë aleatët tonë, ata ndihmojnë në trajtimin e këtyre çrregullimeve, duke pasur parasysh se forcojnë besimin tek njerëzit dhe unë flas për klerikë të tillë që janë të mirëedukuar dhe të mirëshkolluar dhe kam pasur raste të shumta kur personat që kanë ardhur për psikoterapi, në të njëjtën kohë kanë bërë edhe vizitat e tyre rutinë të zakonshme te klerikët fetarë, por kjo nuk e ka dëmtuar aspak psikoterapinë, përkundrazi. Mendoj që religjioni, feja është me psikologjinë shumë afër dhe jo domosdoshmërisht e kundërshtojnë njëra tjetrën.

Sharlatanët që përfitojnë në tragjedinë e tjetrit

Nëse flasim për sharlatanë, mashtrues, ata janë njerëz jokompetentë që mundohen të përfitojnë nga tragjeditë e tjetrit. Për fat të keq, familjarët që kanë një person me psikozë, për shembull skizofreni, ata janë të prirur, siç thotë populli, të kërkojnë ilaç edhe nga gjarpëri dhe natyrisht se provojnë çdo formë të mundshme, sepse ndonëse psikozat janë të trajtueshme dhe shumë prej tyre të pakthyeshme, në këtë rast duke mos gjetur atë prehjen e menjëhershme nga profesionistë mjekësorë të fushës përkatëse, ata provojnë sharlatanë dhe mashtrues që përfitojnë nga fatkeqësitë e të tjerëve.

(Autori është Specialist i Psikologjisë Klinike)