Ngujim i qytetarëve kundër pazareve të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin

02.09.2018 14:22:53

Nga Rexhep Kastrati

Heshtja e opozitës ndaj fjalimit të djeshëm të Hashim Thaçit në takim me diplomatët e huaj, e në të cilin përsëriti qëndrimin e Boris Tadiqit, të vitit 2011, e që ka të bëjë me një marrëveshje historike shqiptaro-serbe, sipas të cilës veriu i Kosovës do t’i përkiste Serbisë, kurse serbët në pjesë të tjera të Kosovës do të kishin autonomi, do të duhej të ishte tepër shqetësuese, dhe argument se është e pafuqishme, është e pazonja dhe e dobët për të mbrojtur kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe interesat strategjike shtetërore të Kosovës.

Është e qartë se ajo që quhet opozitë, tashmë përfundimisht është kapur dhe kontrollohet nëpërmjet veglave kondomë, rekrutëve të agjenturave të ndryshme dhe të shoqërive sekrete, dhe edhe atë zhurmë që bën ndonjëherë, më tepër e ka për të ngulfatur zërat realë kundërshtues të pazareve të Hashim Thaçit me Aleskandër Vuçiqin, për të mashtruar dhe manipuluar opinionin dhe për të krijiuar përshtypjen e rrejshme se gjoja nuk do të lënë Hashim Thaçin të bëjë çka të dojë.

Prandaj, qytetarët duhet të organizohen vetë, të reagojnë vetë për të mbrojtur shtetin e Kosovës, tërësinë territoriale të tij, interesat strategjike të tij, ashtu siç do të vepronin qytetarët e çdo shteti kur kanë një klasë të kalbur, të korruptuar dhe të kapur politike.

Natyrisht, nuk është në interesin e Kosovës që  të organizohen protestat në rrugë dhe asnjë formë e ngjashme nëpërmjet të të cilave mund të destabilizohet Kosova, ose që mund të keqpërdoret nga inidividë, nga e ashtuquajtura shoqëri civile, apo edhe nga pjesë të klasës politike për të krijuar mburoja për veten, apo edhe për të destabilizuar vendin, por ka forma të tjera paqësore, demokratike dhe që mund të jenë më të kontrollueshme.

Ndër këto forma do të mund të praktikoheshin: ngujimi i qytetarëve në shtëpitë apo banesat e tyre derisa nuk do të kishte garanci ndërkombëtare se do të ruhet integriteti territorial i Kosovës dhe nuk do të ketë një “Republika Srpska” në Kosovë. Kjo formë shmang infiltrimin e grupeve kriminale apo të rekrutëve të agjenturave të ndryshme për të imponuar dhunë dhe gjakderdhje.

Një formë e këtillë e organizimit të qytetarëve, do të ngriste në nivele shumë të larta unitetin e tyre, do të funksionalizonte fuqinë dhe sovranitetin e tyre, pra do t’i jepte kuptim formulimin “sovraniteti buron nga populli”, do të shprehte qartësisht vullnetin e tyre politik dhe kundërshtimin  e plotë ndaj pazareve që bëhen qoftë për ndarje të Kosovës, qoftë për krijimin e një “Republka Srpska” në Kosovë.

Po, ashtu, ngujimi i qytetarëve në shtëpitë dhe banesat e tyre, do t’ia hiqte çdo atribut politik dhe institucional klasës politike për të arritur çfarëdo marrëveshje në dëm të Kosovës dhe të interesave strategjike të saj, do të çlironte institucionet dhe politikën nga kapja e tyre, dhe do të mundësonte më pastaj një funksionalitet më të mirë të shtetit dhe të institucioneve të tij.