Nipi i familjes Lala rrëfen tmerrin, telefonata në mesnatë dhe biseda me të vetmin e mbijetuar

02.12.2019 21:02:55

Ende nuk kishte zbardhur e marta e 26 nëntorit, kur Indrit Markja, nipi i familjes Lala, të cilës tërmeti shkatërrimtar iu mori jetën 8 pjesëtarëve të saj, u zgjua nga një telefonatë. Një zë nga Shqipëria, i tha se shtëpia trekatëshe e dajave të tij në ish Kënetë ishte shkatërruar nga lëkundjet dhe nëntë të afërmit e tij kishin mbetur nën rrënoja.

“Na erdhi një telefonatë dhe na tha se shtëpia e nënës është shembur. Kam dëgjuar mamin duke qarë. Jam ngritur dhe direkt jam nisur për në Aeroportin e Romës, për të ardhur për këtej”, -tha Indriti.

Mes lotësh, Indriti, i rritur në Itali, rrëfen tmerrin që përjetoi kur u gjend pranë banesës së shkatërruar. “Është e paimagjinueshme, nuk ka shpjegim, duke e ditur çfarë kishte aty brenda, ishin kalamajtë e dajës, daja, nëna dhe goca e dajës.”, – pohoi ai.

Shtatë ditë më vonë nga e marta e kobshme, nipi i familjes thotë se ata kanë humbur shumë, por fakti që tragjedisë i mbijetoi Rama, djali i njërit prej dajave, është një dritë shprese për ta. Ai na rrëfen takimin me 17-vjeçarin në spitalin e Traumës dhe arsyet përse e shmangte bisedën më të, për çfarë kishte përjetuar adoleshenti nën rrënoja.

“Ai është i terrorizuar, sepse edhe kur vajta unë në Tiranë kur e takova po binte akoma tërmet. Ai thoshte “tërmet, largohuni, largohuni”. I thoja që “po e lëviz unë krevatin”, ai më thoshte “mos e prek as ti atë krevat”. Është shumë i terrorizuar, ndaj e çuam në Itali”, tha Indriti.

Por a shpresoi Indriti se veç Ramës, mund t’ja dilnin dhe të tjerët të mbijetonin? “Shpresën e kam pas gjithmonë. Në momentin që humba avionin, po shikoja live lajmet, duke pritur. Edhe pse zemra më thoshte se është e vështirë, por shpresa kam patur. Edhe kur erdha këtu bashkëpunova me zjarrfikësët italianë, duke ditur projektimin e shtëpisë”, rrëfen Indriti.

Pas tragjedisë, pjesëtarët e familjes dibrane janë strehuar në banesat sociale në Shkozë, por nipi i tyre thotë se po mendojnë t’i tërheqin ata drejt Italisë, të paktën Albertin, dajën që humbi të gjithë familjen. “Që ditën e parë që kam ardhur i kam qëndruar afër dajës. Se me të jam rritur, ai ka qenë në Itali, rrinte me ne. Jam shumë i lidhur me të. Që do të ndërtojë shtëpi tjetër këtu, nuk e besoj është e pamundur. Sigurisht që do ta marr, nuk do ta lëmë vetëm, sepse ai ka nevojë për ne”, theksoi nipi i familjes Lala.

Nga vila trekatëshe e familjes Lala, nuk ka mbetur më asgjë. Në rrënoja gjen këpucët dhe djepin e Dionisit, kukullat e motrës binjake, Dionisës, librat e Emilios dhe Amelias, rrobat e Marjetës. Nëna bashkë me 4 fëmijët nuk mbijetoi dot, sikurse fatkeqësisht nuk ja dolën as nëna e familjes Sahadetja, i biri iliri dhe mbesa Grisilda