Nisma akuzon Qeverinë për krizë politike

03.10.2016 14:14:08

Nisma për Kosovën konsideron se kultura politike për një konsensus për çështje nacionale duhet ta udhëheqë gjithë komunikimin mes partive politike të pozitës me ato të opozitës.

“NISMA është e bindur se në Kosovë ka një krizë politike, e cila nuk mund të zgjidhet duke u barikaduar e sidomos kjo vlen për pozitën. Nëse kriza është zgjatur shumë, ajo është prodhim i pozitës qeverisëse. Për të kaluar këtë krizë, ne, opozitarët ka muaj që i jemi bashkuar një tryeze të bisedimeve, por bisedimet as duhet të zgjasin pafundësisht e as duhet të jenë të pa frytshme”.

“NISMA kërkon nga koalicioni qeverisës, që mos ta hedhin fajin aty ku nuk është, por ta marrin përgjegjësinë për t’i dhënë zgjidhjen e duhur vendit. Koalicioni ka mandat vetëm për të qeverisur vendin, por jo edhe për të falë territor e humbë sovranitet. Akuzimi i opozitës për dhunë apo për mos gatishmëri për të biseduar, janë të paqëndrueshme”.

“Përgjegjësia për t’i dhënë fund krizës e stërzgjatur politike, për të ofruar një dialog përmbajtjesor ose zgjidhja le të gjendet në zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike”, thuhet në një njoftim për media të partisë që drejtohet nga Fatmir Limaj.