Nisma e Hashim Thaçit për FSK-në e bashkërenduar me Vuçiqin, por jo me institucionet e Kosovës dhe me SHBA-të e NATO-n

16.03.2017 11:08:31

Nga Rexhep Kastrati

Më në fund u mor vesh se Hashim Thaçi nismën për projektligjin për FSK-në nuk e ka marrë krye më vete, por pas konsultave me kryeministrin e Serbisë! Por kjo nuk është hera e parë që Hashim Thaçi konsultohet me drejtues të Serbisë për çështje me rëndësi jetike për Kosovën: në janar të vitit 2008, Hashim Thaçi ishte takuar me Boris Tadiqin, pra pak ditë para se të shpalej pavarësia e 17 shkurtit 2008. Pra, për dy çështje shumë të rëndësishme dhe substanciale për Kosovën: pavarësinë e saj dhe ushtrinë e saj, Hashim Thaçi është konsultuar paraprakisht me Serbinë.

Në të dy rastet, Hashim Thaçi ka qenë dhe është në pozita të larta: të kryeministrit dhe të presidentit të vendit, dhe në të dy rastet është takuar, përkatësisht është konsultuar me drejtues të Serbisë, pa u konsultuar paraprakisht me presidentin e Kosovës, përkatësisht me kryeministrin e Kosovës. Ka takuar presidentin e Serbisë, pa u konsultuar me presidentin e Kosovës, kurse tash është konsultuar me kryeministrin e Serbisë, por jo edhe me kryeministrin e Kosovës. Kjo tregon edhe një herë origjinën e tij politike, si dhe arsyen se përse është futur dhe po qëndron në politikë: origjina e tij politike duhet kërkuar herët, ndoshta që me vrasjen e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut më 1989, e që mund të jenë vrarë për t’i hapur rrugë Hashimit, e që do të thotë se origjina e tij politike duhet kërkuar në pjesën e Ilegales së kontrolluar nga Serbia. Kjo bëhet më e besueshme për faktin se më 1998, u shfaq në krye të një organizate politiko-ushtarke mbrapa të cilës qëndronte klani që doli pas takimit Nano – Milosheviq në Kretë, më 1997, dhe me qëllim që të rrënonte gjthë organizimin politiko-institucional të Kosovës që nga viti 1990 e deri atëherë, në krye të të cilit ishte presidenti Rugova dhe LDK. Pra, moskonsultimi paraprak i Hashim Thaçit me presidentin e vendit që vinte nga LDK, e tash me kryeministrin që vjen, po ashtu nga LDK, por takimi dhe konsultimi me presidentin e Serbisë, e tash me kryeministrin e Serbisë duhet të kuptohet në të njëjtën linjë fillestare të origjinës së tij politike dhe të qëllimit politik. Përveç këtyre, edhe këmbëngulja e tij për të lexuar Deklaratën e Pavarësisë, si dhe tash për të proceduar projektligjin për FSK-në, përveç dëshirë për protagonizëm, është edhe këmbëngulje për të çuar tej pazaret sekrete që mund të ketë bërë me Tadiqin, përkatësisht më Vuçiqin, qoftë për formën e pavarësisë, qoftë edhe për ushtrinë.

Mbi këtë bazë duhet kërkuar edhe rrenën e madhe të tij se LDK paskësh qenë kundër transformimit të FSK-së në FA, më 2014, kohë kur paskësh pasur edhe konsensusin e serbëve! Në fakt, përveçse me këtë Hashim Thaçi, tregon se shërbehet me metoda të serbëve që rrenën e kanë veçroi dhe atribut kombëtar, ai edhe tregon cektësinë, injorancën dhe nivelin e ulët të rezonimit logjik e politik, pasi që ai ndërton një rrenë që është lehtë e kuptueshme dhe lehtë e rrëzueshme. Është kështu për faktin se të pretendosh se transformimi i FSK-së në FA ndërlidhet me vendet e rezervuara, do të thotë se kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, serbët e paskan çështje të karrigeve në Kuvend, sepse të thuash se po të ishin vazhduar vendet e rezervuara, serbët do ta votonin ushtrinë, është njësoj si të thuash se po të ishin vazhduar vendet e rezervuara, serbët do të pranonin pavarësinë e Kosovës. Pastaj, të thuash se LDK ka penguar transfomimin e FSK-së në FA me 29 kuvendarë, ndërkohë që po të ekzistonte konsensusi i serbëve dhe i pakicave të tjera, do të ishin 91 vota pro, do të thotë të injorosh këtë fakt, dhe të rrejsh ashiqare, sepse është e qartë se 29 vota nuk mund të bllokonin 91 vota.

Tashmë kur është bërë e qartë se Hashim Thaçi është konsultuar paraprakisht me kryeministrin e Serbisë, Vuçiq, del qartë se akuza e rrejshme se LDK ka penguar transfomimin e FSK-së në FA bëhet për të fshehur faktin se nisma e tij për FSK-në është bërë në konsultim me Serbinë, e që do të thotë se mund të ketë edhe pajtueshmëri që si kundërpeshë të kësaj, të krijohet edhe një ushtri e serbëve në Kosovë, e që do të thotë edhe krijim i një “Republika Srpska”, në Kosovë; që të fshehë se këto pazare eventuale janë bërë mbrapa krahëve të kryeministrit të vendit dhe të partnerëve tanë strategjikë në krye me SHBA-të dhe me NATO-n. Kjo do të thotë se nisma ligjore për FSK-në nuk ka të bëjë me krijimin e ushtrisë së Kosovës, por më tepër me krijimin e ushtrisë së serbëve në Kosovë, e që rikthen në vëmendje pikërisht debatet e vitit 2013-2014, kur serbët kërkonin një batalion të veçantë brenda FSK-së, dhe kur kishte shqetësime se mund të krijohej një “Republika Srpska” në Kosovë.

Në këtë mënyrë, nisma ligjore e Hashim Thaçit për FSK-në nuk po del të jetë nismë për forcimin e shtetësisë dhe të sovranitetit të Kosovës, por si vazhdimësi e politikave të dëmshme që nga viti 1998, e që e kanë ndarë Kosovën mbi baza etnike, që e kanë konsoliduar, e kanë legjitimuar dhe e kanë legalizuar këtë ndarje, dhe që më shumë se dy vite, këto politika janë shpërfaqur në formën e tyre më të vrazhdë, më agresive, me kundërshtetërore dhe më tribale. Pra, kjo nismë duhet të kuptohet në vazhdën e të gjtha angazhimeve për përmbylljen e procesit të ndarjes etnike të Kosovës, në funksion të të cilit kanë qenë edhe zhvillimet anarkiste, të dhunshme, tribale dhe në kufijtë e terrorizmit të dy viteve të fundit dhe të gjitha provokimet e hapura të Serbisë ndaj Kosovës.

Në këtë kontekst, edhe atentati terrorist ndaj Azem Vllasit dhe paralajmërimi për atentate të tjera, duhet kuptuar edhe si dështim i formave të gjertansishme, edhe si dështim i nismës së Hashim Thaçit për FSK-në. Dhe Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre po bëjnë gjithçka për ta mbajtur në lojë Hashim Thaçin, duke e heroizuar medietikisht, duke e paraqitur si protagonistin e ngjarjeve, si dhe duke paraqitur si të rrezikuar nga terrorizmi. Dhe është për të theksuar se Hashim Thaçi për herë të parë flet për terrorizëm, ani që edhe vrasjet politike kanë qenë akte të pastra terroriste dhe Hashimi asnjëherë nuk i ka quajtur as politike, por as akte terroriste.