NISMA në takim me kryeministrin, vetëm që ta rrëzojnë bashkë demarkacionin

19.09.2016 12:19:12

Tërheqja e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga qeveria e Kosovës në seancën e Kuvendit bëri që shumë prej deputetëve t’i gëzohen këtij fakti. Kundërshtimi i tyre i gjatë dhe pothuajse i realizuar në të gjitha format ishte i pandalur.

Ndërsa pas një refuzimi të gjatë, partitë opozitare thuhet të jenë ftuar që të ulen në një tavolinë me kryeministrin Isa Mustafa për të sqaruar dhe diskutuar temën e demarkacionit.

Por sipas opozitës ulja në një tavolinë të përbashkët nuk nënkupton pajtimin me versionin aktual të demarkacionit.

Kurse është pikërisht partia opozitare NISMA për Kosovën që vazhdon të tregojë kundërshtimin që kanë për këtë marrëveshje që sipas tyre është  e dëmshme dhe aspak e rregullt, por që kanë theksuar se nëse kryeministri i Kosovës fton ata që ta rrëzojnë bashkë këtë marrëveshje, përgjigja e tyre do të jetë pozitive për tu takuar.

Sekretari i partisë NISMA për Kosovën, Bilal Sherifi ka theksuar se qeverisë i ka mbetur vetëm tërheqja nga marrëveshja.

Në një prononcim për Indeksonline Sherifi ka theksuar se “Pas tërheqjes që qeveria i bëri versionit aktual të marrëveshjes për demaskimin e kufirit me Malin e Zi nga

Kuvendit, ajo që i ka mbetur asaj të bëjë tani e tutje është tërheqja nga marrëveshja.

Sipas tij ky version i marrëveshjes nuk kalon prandaj qeveria nuk ka alternativë tjetër përveç tërheqjes nga marrëveshja.

“Nëse kryeministri kërkon takim me opozitën për ta ndihmuar atë që ta rrezojmë bashkë këtë marrëveshje, atëherë për hir të interesave të Kosovës do t’i përgjigjeshim pozitivisht ftesës për takim”, ka shtuar Sherifi.

Ndërsa sipas tij në asnjë rast nuk do të shkonin në një takim me të në rast se ky takim do të kishte për qëllim legjitimitetin e kësaj marrëveshje./Indeksonline/