NISMA paralajmëron dërgimin e Thaçit në Kushtetuese (Video)

11.11.2016 18:24:57

Një darke e paralajmëruar me punëtorët e arsimit në Drenas – në prag të fushatës parazgjedhore në këtë Komunë – nga ana e presidentit Thaçi, mund të bëhet sebep qe i pari i vendit të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Valdete Bajrami, shefe e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, ka thënë në emisionin ‘Fakt Plus’, te Tribuna Channel, se Thaçi po e shkel nenin 83 të Kushtetues, duke i takuar mësimdhënësit. Ajo ka paralajmëruar se si Nismë mund ta dërgojnë Thaçin në Kushtetuese.

“Ai njeri po e shkel Kushtetutën. Jemi duke pritë çka do të ndodhë dhe ndoshta do ta dërgojmë në Kushtetuese”, ka thënë ndër të tjera Valdete Bajrami.

Duke folur për Raportin e Progresit, ajo ka thënë se ky raport ve në pah dështimet e Qeverisë. Ndërsa, ka paralajmëruar se PDK dhe LDK janë në prag të përçarjes finale për shkak të pazareve.