Nitaj: Arrestimi i Zekës e Demaliajt, janë shenja të diktaturës dhe jo të drejtësisë

27.09.2018 19:15:36

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka reaguar ndaj arrestimit të kolegut të tij, Shkumbin Demaliaj.

Ai theksoi se arrestimi i deputetëve ka qenë krejtësisht i panevojshëm sepse ata nuk kanë bërë as edhe një veprim të vetëm që mund të cilësohej kërcënim

Arrestimet e tyre Nitaj i ka quajtur shenja të diktaturës dhe jo të drejtësisë.

“Nuk janë arrestuar kërcënuesit e denoncuar, nga viktimat që më pas janë vrarë, e tash po arrestohen deputetë pse e teprojnë me fjale. Këto janë shenja të diktaturës dhe jo të drejtësisë! Deputetët Demalijaj e Zeka duhet të lirohen menjëherë dhe Prokurori i Shtetit duhet të japë sqarime”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Postimi i plotë:

Arrestimi i deputetëve shenjë e diktaturës

Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Shkumbin Demaliaj dhe Milaim Zeka, arrestohen vetëm për shkak të fjalëve që i kanë thënë në televizion.

Unë personalisht kam vërejtjet e mia për gjuhën që ata e kanë përdorur, por a mund të cilësohen kanosje dhe kërcënim vetem qëndrimet e tyre publike, sado të pamatura qofshin ato?!

Vlerësoj se arrestimi i tyre ka qenë krejtësisht i panevojshëm sepse ata nuk kanë bërë as edhe një veprim të vetëm që mund të cilësohej kërcënim.

Qysh kur prokuroria e shtetit i paska rregulluar krejt punët e veta, saqë paskan ardhë në radhë të arrestohen deputetët, vetëm për aq sa flasin në studio televizive!!!

Nuk janë arrestuar kërcënuesit e denoncuar, nga viktimat që më pas janë vrarë, e tash po arrestohen deputetë pse e teprojnë me fjale?!

Këto janë shenja të diktaturës dhe jo të drejtësisë! Deputetët Demalijaj e Zeka duhet të lirohen menjëherë dhe Prokurori i Shtetit duhet të japë sqarime!

Nuk mbyllen deputetët për një fjalë goje. A keni dëgjuar të ketë ndodhur diçka e tillë në botë, përpos në diktaturë, apo ju jeni të parët që e keni zbuluar!