Një derbi me të gjitha, kartona të kuq dhe 6 gola në Tirana-Partizani

28.02.2020 23:25:11

Tirana ka marrë një fitore të madhe mbrëmjen e sotme në Air Albania Stadium në ndeshjen e derbit, e cila flet shumë për ekipin që ka synim titullin kampion. Në 19 minutat e para të lojës janë shënuar 3 gola dhe një karton i kuq. Fillimisht ndeshja nisi me vonesë pasi tifozët e kuq ”Ultras Guerrils” ndezën flakadanë duke e mbushur stadiumin me tym .

Që në minutën e 2-të braziliani i Partizanit, Ëilliam Cordeiro shënoi një gol fluturimthi duke mos i dhënë asnjë shans portierit kundërshtar Ilion Lika. Por avantazhi zgjati vetëm 14 minuta. Në të 16-tën Tirana fiton një penallti me Torassan. Pasi arbitri sinjalizoi penalltinë i dha të kuq edhe mbrojtësit të Partizanit Enea Bitri. Nga pika e bardhë e penalltisë Batha u tregua i saktë. Tre minuta më pas sërish Torassa fiton penallti dhe Batha kësaj radhe e çon në trekëndësh për të ndëshkuar për herë të dytë radhazi ish- skuadrën e tij Partizani

Në pjesën e dytë një harkim në shtyllën e dytë nga Ngoo është realizuar jo nga një futbollist i Tiranës por i Partizanit. Mbrojtësi Hektor Idrizaj ngatërroi portën duke e çuar në atë të bashkëlojtarit të tij Alban hoxha.

Por nuk mbaroi me kaq. Minutat e lojës dhuruan të tjera surpriza, duke bërë që Tirana dhe tifozët e saj në stadium të përjetojnë emocione të forta. Ernest Muçi është autor i golit të katërt të ndeshje, që duket se ishte e mbyllur në minutat e fundit.

Por, jo! Sërish nga Tirana kishte gola. Sërish Ernest Muçi nga një goditje dënimi mposht për të dytën herë personalisht dhe të pestën herë në total portierin dhe kapitenin e kuq Alban Hoxha.