Një ditë para Kuvendit Zgjedhor, LDK në ethe: Isa Mustafa sërish mbledh kryesinë

02.08.2019 10:35:04

Sot Lidhja Demokratike e Kosovës është mbledhur në selinë e saj.

Ftesa për anëtarët e kryesisë së LDK-së është bërë nga kryetari aktual Isa Mustafa.

LDK është një ditë para zgjedhjeve të brendshme, ndërsa është thënë se mund të diskutohet për një kandidat konsensual, mirëpo deri më tani përveç Fatmir Sejdiut nuk është deklaruar askush zyrtarisht për të kandiduar për të parin e partisë.

Tashmë kryetari Mustafa dhe nënkryetarët e LDK-së janë në objektin e selisë së LDK-së në lagjen ‘Qafa’ dhe po pritet të filloj mbledhja.

Kujtojmë, se dje LDK ka mbajtur një mbledhje parapërgatitore që zgjati më shumë se tre orë.

Pas takimit për media ka folur zyrtari për media e Lidhjes Demokratike të Kosovës Besian Mustafa.

“Mbledhjen e sotme, kryesia e LDK-së diskutoi në lidhje me përgatitjet e Kuvendit që do të mbahet të shtunën. Kryesia vlerësoi se përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe se Kuvendi do të zhvillojë punimet në mënyrë solemnte”, tha Mustafa.

Mustafa ka lënë të kuptohet se nuk ka kandidat konsensual për të parin e partisë duke theksuar se ka pasur interesim të madh për të garuar

“Për të garantuar mbarëvajtjen kryesia vendosi t’i propozoj anëtaret e komisioneve punuese. Po ashtu është diskutuar çështja e kandidaturave, kryesia ka vlerësuar lartë interesimin për të kandiduar të disa anëtarëve që kanë kontribuar gjatë në LDK”.

“Kryesia vlerëson që është shumë e rëndësishme që në krye të LDK-së të jetë një figurë përbashkuese që po punohet prej sot e deri në 3 gusht”, tha Mustafa.

Në anën tjetër, dje nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ka thënë se ende nuk ka konsensus në LDK për emër të kreut të partisë.

Ai thotë se nëse nuk arrihet një emër konsensual, atëherë edhe vetë ai do të jetë njëri nga kandidatët për kreun e partisë.

“Nuk ka një marrëveshje ende që i vendosë kësaj çështje kapak. Janë përmendur emrat si Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani, Agim Veliu dhe unë.  Deri në këtë pikë, kryetari i LDK-së po menaxhon situatën dhe kjo është në përgjegjësi të tij që 355 delegatët në Kuvend me pasë kushte me zgjedhe kryetarin dhe Këshillin e Përgjithshëm”, ka thënë Haziri.

Haziri ka folur edhe për mbledhjen që ka mbajtur sot LDK.

“LDK është tuj punu, ne kemi mbajtë mbledhje të kryesisë sot dhe kemi vendosë me vazhdu edhe nesër. Fokusi ka qenë në një përgatitje sa më të mirë të Kuvendit dhe për emrin e kandidatit që do të paraqitet në Kuvend të shtunën. Po vazhdojmë me punu që të kemi një kandidat që LDK me legjitimu. Atmosfera ka qenë korrekte dhe kolegiale deri në pikën e fundit. Ne jemi bashkëpunëtore që shumë dekada me njëri tjetrin”, ka thënë Haziri.