Një ditë pas festimeve të 28 Nëntorit: Dikush, megjithatë deshi dhe e prishi festën, e baltosi atë!

 

Kështu siç po sillemi, gjithënjë e më tepër, po dëshmojmë se një kategori qytetarësh, as që e kanë merituar Lirinë e arritur falë gjakit dhe luftës çlirimtare bashkë me miqtë, me SHBA-të dhe aleatët dhe sikur nuk e kemi merituar as Pavarësinë, për të cilën gjithmonë punuar, kontribuuar, kanë ëndërruar dhe kanë sakrifikuar edhe të parët tanë!  

Nga Jusuf M. Bytyçi

Prishtinë, 29 nëntor

Qysh pasditen e së dielës, më 27 nëntor, së paku në shumicën e vendbanimeve, lokaliteteve, shesheve, rrugëve dhe mbi hapësirat e shumta të qyteteve, qytezave, fshatrave e lagjeve kudo në Republikën e Kosovës, qytetarët kanë vendosur lartë flamurin kombëtar. Vendosja e flamurit kombëtar nëpër institucione, është vendosur nga zyrtarët, ndërkaq qytetarët, kanë vendosur flamuj kudo në ambientet e tyre familjare, si dëshmi e dashurisë, mishërimit ndaj flamurit kombëtar kuq e zi, dhe  vazhdimësisë së shënimit të festës së 28 nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. E nga pas lufta, qytetarët shënojnë njëherësh edhe Ditëlindjen e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe daljen publike të UÇK-së në Zonën e Drenicës.

E, krahas këtij akti tradicional, të paharruar, qytetarët, kanë uruar më të dashurit e tyre, të afërm, shokë e miq moshash të ndryshme, qoftë me mesazhe telefonike, nga rrjeti social, apo edhe përmes vizitave në familje dhe vend takimeve në ndonjë nga restorantet e lokaliteteve ku jetojnë. Moto e të gjitha mesazheve të urimit, kudo e nga gjithëkush, ishin dashuria mes vete, solidariteti, uniteti, bashkimi, respektivisht shprehja e dëshirës që një ditë, të ndodhë edhe bashkimi i vulletshëm kombëtar!

Këtë, e thoshin sidomos të moshuarit, që në periudha të rënda, kanë përjetuar peripeci të  ndryshme dhe janë sfiduar nga dhuna, nga ndjekjet dhe nga veprimet barbare të aparatit represiv pushtues serbo-sllav.

Si për koinçidencë, në vigjile të festës së 28 nëntorit, nëpër lagje e fshatra të shumta të komunave të ndryshme të Kosovës, pra edhe në komunën e Malishevës, përgjegjësit komunalë, kishin vendosur në shtylla tabelat e emërtimeve të rrugëve e shesheve.

Kjo, kishte ndryshuar për të mirë pamjen e fshatrave, e lagjeve kudo, sepse vetëm në këtë mënyrë, me adresa të qarta rrugësh, ne mund të pretendojmë integrimin e mëtutjeshëm Europian.   

Mirëpo, ende pa përfunduar atmosfera festive, në shumë lagje dhe rrugë fshatrash, tabelat e emërtimeve, kishin “avulluar”. Jo pak sish, ishin përdhosur, baltosur për tokë, ishin “fshehur” në kaçuba mali, e shumë sish, kush e di nga janë dërguar! Muaj më parë, njerëz të papërgjegjshëm, sikurse edhe tash këta që e prishën atmosferën festive, kishin hequr me beton edhe shtyllat e vendosura për tabelat e emërtimeve.

Le ta marrin vesh komunarët, zyrtarët e Malishevës se tabelat me emrat e rrugëve, janë hequr edhe në Maxharrë, Mirushë, Shkozë, e gjetiu.

Do thënë me këtë rast, se për emërtimin e rrugëve dhe shesheve të fshatrave dhe vendbanimeve të Republikës së Kosovës, ani se ka pasur edhe do kritere, nuk janë refuzuar, as mohuar propozimet e qytetarëve në debatet e organizuara nga Komisioni Komunal për Emërtimin e Rrugëve.

Sipas dëshmitarëve, ata që kanë hequr apo përdhosur tabelat e emërtimeve nëpër rrugë e sheshe fshatrash e vendbanimesh të ndryshme, janë edhe veteranë të luftës së UÇK-së, apo veteranë të rrejshëm, që marrin pensione jo meritore nga shteti. Ata që kanë kryer këso akte qyqare, duke hequr natën tabelat e emërtimeve të propozuara dhe miratuara nga shumica absolute e qytetarëve në debatet e shumta publike, sikur nuk dëshmojnë vetëdije për ndërtimin dhe forcimin e shtetit, që vetëm falë këtyre emërtimeve mund të konkurrojë më tutje në rrugëtimet-integrimet Europiane. Ata që kanë përdhosur, baltosur, fshehur apo “avulluar” tabelat, kot së koti e konsiderojnë veten trim-guximtar, patriot apo si i dijshëm! Së pari, po dëmtohet shteti, pasi gjithëçka është bërë me paranë publike të taksapaguesve, si dhe kanë vepruar në kundërshtim me vendimet e shumicës absolute. Ata që kanë hequr tabelat, janë mbërthyer kryesisht nga momentet emocionale personale, dhe janë kryesisht njerëz naivë dhe që pothuaj nuk kanë marrë pjesë në debatet publike. Emërtimet apo kundërshtimet e emërtimeve të rrugëve, nuk mund të bëhen kuloareve, gjatë ndejave të netëve të lojërave me letra etj. Veprimet e momentit janë të pa arsyeshme, përballë fakteve dhe zbatimit të kritereve adekuate, edhe aso historike.Asnjë figurë, qoftë dëshmor, civil, invalid lufte, apo edhe personalitet tjetër, i persekutuar apo edhe i vrarë në periudha të ndryshme të historisë, nuk mund të ngritet, vetëm falë insistimit familjar nga një rreth i ngushtë, që të tjerët i konsiderojnë të pavlera, e kur në pyetje është personalja, e ngrejnë në “qiell”. Të merituarit, nuk mund t’i kontestojë askush, mos keni dert!

Veprimet e tilla, nuk mbrojnë absolutisht asnjë vlerë kombëtare, as vlerat e luftës, as ndonjë emër të përveçshëm, që sipas jush, mund të jetë “harruar”, anashkaluar, apo mohuar nga Komisioni Komunal për Emërtiminin e rrugëve!

Konsideroj se ata që bëjnë veprime të pamatura krye në vete, nuk kanë asgjë të përbashkët me argumentimin e kundërshtimeve. Ata nuk kanë asnjë arsye të urojnë të tjerët për festën. Ata nuk kanë të drejtë as të reagojnë ta zëmë vendosjen e flamujve tjerë krahas flamurit tonë kombëtar, si në rastin e Prizrenit! Më shumë se sa ne shqiptarët vetit, nuk na ka bërë dhe as që mund të na bëjë më shumë dëm, kanë thënë edhe më të moshuarit e më të dijshmit.

Kështu siç po sillemi, gjithënjë e më tepër, po dëshmojmë se një kategori qytetarësh, as që e kanë merituar Lirinë e arritur falë gjakut dhe luftës çlirimtare bashkë me miqtë, me SHBA-të dhe aleatët dhe sikur nuk e kemi merituar as Pavarësinë, për të cilën gjithmonë kanë punuar, kontribuuar, kanë ëndërruar dhe kanë sakrifikuar edhe të parët tanë! 

Duke e kundërshtuar ashpër veprimin tinëzar dhe të turpshëm të atyre që ditën shtiren si trima, patriota, ndërsa natën bëhen vandal të paarsyeshëm, shpreh reagimin tim, edhe për indiferencën e pakuptimtë të organeve përgjegjëse në komunë, që nga heqja e shtyllave aty këtu nga rrugët kryesore të fshatrave. Kushdo që e prish rendin, e dëmton pronën, sidomos pronën publike, do marrë në përgjegjësi dhe do dënuar për veprën që e ka kryer, sipas ligjeve në fuqi. Aktualisht, në Republikën e Kosovës, fatkeqësisht po dëshmohet se nuk funksionon fare llogaridhënia, dhe fare pak pushteti.    

“Mos e teproni me vetëvlerësimin e vetes, por duhet t’ia dini takatin dhe hallin vetes”, thotë një fjalë e urtë popullore shqipe!