NJË DRAMË ME VLERA LETRARE ME MOTIVE LUFTE

08.03.2019 20:45:04

Nga Prend Buzhala

Drama “Hatixhja” e Vlora Zhutaj Gashit, deri më tash, pati tri përurime: për herë të parë para tre vjetësh, kur u botua shqip (2016), dhe, gjatë këtyre tri ditëve, kur u përkthye italisht, u përurua në Prishtinë e në Klinë.

I.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në ambientet e Bibliotekës Publike Komunale “Kongresi i manastirit”: promovimi i dramës “Hatixhja” e dramaturges së re Vlora Zhutaj Gashi, tashmë i përkthyer edhe italisht.
Ligjëruan: Prend Buzhala dhe Ismet Krasniqi. Pat dhe diskutime e fjalë përshëndetëse.
Më poshtë po e jap të plotë

II.
PËRMENDORJA E FJALËS DRAMATIKE
PËR VAZHDIMËSINË E JETËS E PËR VETËFLIJIMIN NJERËZOR

(Drama “Hatixhja” e Vlora Zhuta- Gashit)
Familjet shqiptare përjetojnë kalvare të vërteta vuajtjesh, shpërnguljesh, dhimbjesh, sakrificash nëpër male a shtëpi strehimi. Bombardimet serbe mbi caqet civile shqiptare, nuk pushojnë. Kah fundi, drama zë ta zhdrivillojë nyjën e saj kompozicionale. Lexuesi i dramës e pret me ankth lindjen e krijesës së re: çka do të ndodhë në aso gjendje lufte të pasigurisë së pashembullt? Hatixhja e lind vajzën, por lehona vdes. Rravgimet e familjes nuk pushojnë: ata arrijnë me mudnikme përtej kufirit, diku në lezhë, ku bashkohen edhe pjesëtarë të tjerë të familjeve. Familja e vajzës së lindur vazhdon jetën në Gjermani, ku tano jeton, dhe ajo atje e mëson të vërtetën për nënën e saj. Drama mbyllet me vizitat e vajzës te varri i nënës së saj, në Kosovën e lirë.
Me pak fjalë, ky është s’zheu dramatik.
1. Nga parateksti te diskurset dramatike tekstore
Sipas parateksteve dhe teksteve didaskalike, koha dhe hapësira, familja dhe protagonistët e saj, janë të njohura për publikun, mbasi edhe vetë shënimi autorial mban shenjën “E bazuar në një ngjarje të vërtetë”. Ndër këto paratekste me efekte funksionale artistike, futen edhe forma të tjera dokumentare, sikundër janë informacionet nga radiot a nga mjetet tjera të informimit, apo nga lënda dokumentare e kohës, duke e krijuar dramën nga perspektiva e kohëve kur ato ngjarje ndodhën. Informacionet e tilla sintetike, përdoren me kursim, duke u dhënë në thelbin e tyre dokumentar të luftës dhe duke shërbyer edhe si mjete procedimore të ndërthurjes dramatike, si korniza që hapin skenën e madhe të ngjarjeve, si kapërcime të ndërthurjes së shkallëzuar të ngjarjeve familjare, individuale e kolektive.
Hatixhja e kishte burrin në gurbet në Slloveni, kurse lufta e zë shtatzënë dhe të strehuar familja e saj e lindes, në Klinë. Ajo ishte martuar te një familje në Gjurgjevik të madh. Lidhjet mes familjeve humbin. Humbin dhe lidhjet mes vetë anëtarëve brenda të të njëjtës familje. Skenat e para hapen me martesën e Hataxhes. Ndërsa prej kësaj skene, vijnë pamjet e luftës. Dhe brenga kryesore e Hatixhes, përgjatë gjithë dramës, mbetet preokupimi i saj me vëllanë, me familjen:
“E shkreta unë, qysh erdha në Klinë e mbeta këtu e nuk qëndrova me familjen e burrit. Tash ata bëhen merak për mua, se ndëgjojnë se na kanë larguar prej shpijave e e dinë punën time me shtatëzani qysh e kam. As Ismeti nuk di gjë. I shkreti, ai atje në Slloveni tash i ka dy gajle, edhe familja e vet a po i shpëton edhe unë që jam këtu e qysh jam se…”
Personazhet flasin me gjuhën e tyre karakterizuese të ambientit: pothuajse të gjithë anëtarët e familjes flasin në të folmen e vendlindjes, e ku ngërthehen edhe formulësmime e freazologjizma të pasura reagimesh emocionale apo të kulmve dramatike të fatit të personazheve. Milicët serbë flasin serbisht, që i karakterizon gjuha e urrejtjes dhe përbuzjes. Mirëpo, vetëm gjuha e Hatixhes dhe vajzës së saj me tël njëjtin emër, paraqitet në gjuhën letrare të standardit të sotëm, si shenjë e literaturës dhe poetikës së emancipuar letrare.
2. Struktura e veprës
Drama “Hatixhja” e Vlora Zhuta- Gashit ka në strukturën e saj katërmbëdhjetë skena. Ndonëse koha që paraqet drama, është ajo e luftës së fundit në Kosovë, me dy skenat e fundit paslufta, diku në Gjermani dhe me atë të fundit në Kosovën e pasluftës. Kosova, Shqipëria, Gjermania. Ja hapësira ekzistenciale ku lëvizin përgjithësisht shqiptarët e ku lëviz veçanërisht edhe kjo familje. Drama ngërthen dhe pesëmbëdhjetë personazhe të tjerë, kurse aty defilojnë dhe pjesëtarë solidarë gjatë luftës, si mami e mikpritës, por defilojnë milicë e paramilitarë serbë e të tjerë.
Por është dora e shkathtë e dramaturges së re që arrin ta mbajë të gjallë tensionin dramatik që nga skena e parë e deri te ajo e fundit. Protagonistja kryesore e veprës është Hatixhja, e cila, në çastin kur po e lindte vajzën e saj në flakët e luftës, vdes tragjikisht. Një nënë shuhet, por lind krijesa e re, si shenjë e simbol i një jete gjithë shpresa: jeta nuk shuhet, jeta i ka tragjeditë e gëzimet e saj mu në kërthizën e luftës, kur po i bëhej prerja cezariane epokale Kosovës: forcat e NATO-s po bombardonin pa ndërprerje caqet serbe, për t’ia treguar, më në fund, edhe rrugët se kah duhet të largohen prej Kosovës. Për t’i dhënë efektet dramatike ngjarjes, nga skena në skenë, shpesh dëgjohen goditjet me armë e me granata nga forcat serbe. Duke e hapur veprën me skenën e dasmës së saj, dhe duke e mbyllur me një krijesë të re, po me emrin Hatixhe, si simbol i vazhdimësisë së jetës, që i dërgon lule nënës së saj te varri; drama fiton në peshën e saj të përjetimit dhe në përmasat e saj të ekzistencës e të mbijetesës. Edhe dasma, edhe vdekja e varrimi i saj, si dy kulme jetësore, përcillen me momente e përshkrime të lëndës etnografike të traditës shqiptare. Kjo i ka dhënë dorë autores që të përzgjedhë tekste që ligjërojnë kulmin e gëzimit, siç janë këngët e dasmës dhe ku ndërfutet diskursi ento-folklorik shqiptar:
“Ngjitet kona me pika, pika
Edhe sonte je bajrak nër qika.
( rrah defi dhe njëkohësisht bëhet riti i lyerjes së thonjve dhe vaji i Hatixhes) .
HATIXHJA:
Huj, huj, huj……
VAJZAT:
Ngjitët kana me pika të kuqe,
nesër mbrëma je bajrak nër nuse.
( Rrah defi ritin e vajit e bën Hatixhja).
VAJZAT:
Moj Hatixhe moj në shami të kuqe,
ty ngjyn nana moj floktë e kuqe, floktë e kuqe
moj të shitoft zana a stu dhimten moj baba e nana.”
si dhe momente të kulmit dramatik të pikëllimit e të dhimbjes, siç janë vajtimet e këngët e vajit, apo monologët e zisë familjare e personale:
“SHERA: E mira e nanës, e bukra e nanë,
Nuk po mujka nana me ta pa dekën
ty, qysh me mujt me shti në dhe
gzimin e parë mjera nana
për ty. ( të gjithë qajn).
Qysh bre nanë e le Sadikun që nuk
të pushoj goja deri sa i mshele syt
përgjithmon e le Sadikun e le babën
e le nanën e lë Hatixhen e vogël.
Çka mi thanë babës tonë, qysh mi
kallxu se ti mo si del përpara.
E mjera nana për ty, s’paska
ma zi se me ja pa dekën ivladit të vet.
Qysh bre nanë mujte mi mshel sytë
e mos me pa bijën tane që ke
majt në barkë nandë muj ditë,
nuk mujte asnjëhere me ushqi me gjinin
tand me ni vetën qysh është me
kanë nan, e mjera nana për ty e për
trupin tand, që ka me tu tha
e kurr ma skemi me të pa.”
Tekstet e tilla, karakterizuese, ruajnë sensin e masës. Kjo do të thotë se autorja nuk jepet në përshkrime ekstreme reagimesh a paraqitjesh. Ato shënjojnë dhe shenjëzojnë situata emocionale, situate të zgripit ekzistencial, situata dramatike, të mprehta, që ik krijon vetë lufta, si kohë përmbysjesh të mëdha.
Fati i kësaj familjeje është fati i sintetik i familjeve shqiptare.
Vërtet bombardimet nuk pushojnë nga të dyja palët (nga forcat serbe e nga forcat e NATO-s), vërtet milicët vijnë, shajnë, kontrollojnë, por nënteksti i dramës na shpie në dy kahe: se lufta do shikuar me sytë e realitetit, mu ashtu si ka ndodhë, pa mbufatje, pa nxirë a mohuar doçka, pa zmadhuar a zvogëluar gjë; ky realitet so shikaur me dokumentaritet të përpiktë të të folurit, të përjetimit, të rrëfimit, të kujtesës dhe të informacionit të kohës. Madje, për ta forcuar këtë poetikë dokumentare, edhe emrat e familjarëve, edhe të vendbanimeve e fshatrave, janë të njohur! Të vërteta janë edhe rrëfimet! Këtu te ne, në ne e brenda nesh!
Të duket se kjo nuse shtatzënë, që shtegton nëpër male, është si ato protagonistet e këngëve tona, nuse që e sjellin Lirinë, Të Bukurën, në Atdhe, nëpërmes krismash e vetëflijimesh. Kurse krushqit e Nuses ishin e tërë Kosova… Sido që të jetë, sado që drama mbështetet në fakturën dokumentare të ngjarjes së vërtetë, sado që mbështetet në faction, megjithatë ajo është një krijim letrar, një fiction dramatik. Ndodhia e dramës na vjen në jetën tonë, krejt afër, krejt ngjashëm, apo jo! Prandaj, nuk thuhet më kot se fiksioni i dramës qëndron më afër jetës se sa të gjitha zhanret tjera letrare.
3. Burimet e ngjarjes te aorta e realitetit
Pa dyshim, drama e tillë është bartëse e esencave, e thelbeve të realitetit, të përjetimeve e përvojave të jetuara. Autorja gjithsesi e ndien, se të gjitha gjërat gjenden te burimet e pashtershme njerëzore, gjenden brenda vetë aortës së realitetit. Këtë e ka ndjerë dhe e ka rikrijuar dramatikisht nëpërmes rrëfimeve autentike vetë Vlora si dramaturge.
Nocioni modern i subjektit ndërlidhet pikërisht me lirinë, sepse nëpërmes saj hyri në histori. Liria shprehet në trajtën e vetëdijes, botëkuptimit, imperativit që e ka secili nga personazhe të një familjeje atdhetare të thjesht, po r që me fanatizëm i ruan traditat e nderimit dhe ato të lindjes e të vdekjes. Ndërsa koha dhe shembulli i karaktereve njerëzore të kësaj drame, nga perspektiva e këndvështrimi i sotëm kohor, na sjell të tjera jehona; na e sjell romantikën e djeshme, me gjithë peshën e rëndë të tragjedive njerëzore e kolektive
Në këtë libër arrihet plotësisht identifikimi i Autores me Të Munduarit; një si paradigmë biblike. Ndryshe, libri nuk do t’ishte gjakim për t’u takuar me sublimen, të tejpërsosurën, me tejobjektin a tejfjalën; është vetëdije për zhdrivillime e shpalosje të memries shpirtërore e jetësore dramatike. Një memorie zemre… me një qasje habitshëm objektive kundruall mistifikimeve, stërzmadhimeve, mohimeve apo instrumentalizimeve të ndryshme.
Aty shquhet, mbi të gjitha, memoriali dokumentar i Luftës, Përmendorja e Fjalës Dramatike për humanizmin e vetëflijimin njerëzor e kombëtar për liribërjen e Kosovës, Kujtesa e pashlyeshme e për Jehonën e Amshueshme të këtyre ngjarjeve. (14 prill 2016)