Një ëndërr e zhveshur nga era e flokut

02.03.2018 21:12:59

Poeti Jahja Lluka na jep një pasqyrim lucid të poezisë së tij, pa ndonjë metaforë e cila mund ta vështirësonte zbërthimin poetik dhe, në këtë kontekst, poeti bëhet i qartë për lexuesin  dhe në këtë kuptimin poetika e tij lexohet me një frymë njeriu.

Që në fillim të shpalosjes së librit “Dehja e dashurisë”, poeti Jahja Lluka, gjurmimet e tij të një dashurie reale i fillon nga rrugët e qytetit të Prishtinës, për tu bartur gjithandej në gjetjen e shenjtërisë të saj. Nga këtu, fillojnë kërkimet e një veçantie ndjenjash të përziera deri tek frymëmarrja e tij e ndarë në dysh, e cila i mbeti diku, për ta rigjetur sërish shpirtin e tij binjak të fshehur në mugëtirën e syve të mbështjellë mërzie. Pra, z. Jahja Lluka, kujdesshëm bën rrugëtimin e tij hënor, deri tek shtegu i flokut të krehur për ta shijuar ëmbëlsinë e dhembjes, e cila e sëmbon si një hesht në zemër, që pashmangshëm e ngacmon shpirtin e trazuar të poetit.

Mbi këtë bazë, vjershëtori ynë, përveç të bukurës e sheh edhe botën e terrinës, gjithnjë nga frika e harresës për çka na thotë: Si të harroj kur të desha/ Oh errësirë më përpijë/ Asgjë si dukem as vetes më. Dhe, këtu poeti na jep një pasqyrim lucid të poezisë së tij, pa ndonjë metaforë e cila mund ta vështirësonte zbërthimin poetik dhe, në këtë kontekst, poeti bëhet i qartë për lexuesin  dhe në këtë kuptimin poetika e tij lexohet me një frymë njeriu. Ndaj, autori i librit “Dehja e dashurisë”, në botën e tij poetike ngërthen dhe zbërthen vetë jetën dhe trillet e saj, të cilat na flasin për syrin e vashës, vetminë, parimet, tradhtinë, ironinë, ëndrrat dhe frikën e arsyeshme nga e bukura dhe hyjnia e saj.

Këtu pra, lexojmë dhe shohim figuracione të ndërthurura me ndjenjat e njeriut, shqetësimet, ëmbëlsitë dhe etjen e poetit për ringjalljen e hyjit të humbur, diku pas një ëndrre të zhveshur dhe të krehur në sytë e mallit dhe askund tjetër, soll në sytë e poetit. Për këtë poeti na thotë: Më prek/ a jam ba si hekur/ i ruajtur në hi. Tani asgjë më nuk ndjejë/as lumturi as trishtim/ më thuaj/ ke parë njeri të ftohtë si unë. Pra, poezia e dashurisë tek Jahja Lluka ndërtohet mbi bazën e ndjenjave dhe njerzillëkut të tij – që herë – herë përjeton një metamorfozë nga ndjeshmëria e një shpirti të falur dhe dorëzuar të bukurës hyjnore nga e cila tjerr mendjen në fije të holla deri në dehjen e poetit në shikim vashe.

Së këndejmi, vjershëtori na shpalosi ëndrrën e tij, ku mbetet në pritje të një fryme floku, të një zëri ëmbëlak, të një fjale prushi, të një shprese syqeshur, të cilën do ta kërkoj edhe pas guaskës së veshit të Zanës, që sërish  dhe përfundimisht do të mbuzet pranë saj, sepse, poeti nuk vdesë kurrë.

BIOBIBLIOGRAFIA

Jahja Lluka u lind më 17 Mars 1952 në Pejë, ku e përfundoi edukimin fillor dhe atë të mesëm, ndërsa studimet e larta të Elektroteknikës i vijoi në Zagreb. Pas kthimit nga Zagrebi, studioi në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Ka përfunduar masterin për Diplomaci. Në vitin 1989 filloi aktivisht të merret me angazhimet kundër ndryshimeve kushtetuese të Kosovës. Në vitin 1990, pas protestave të shumta në qytetin e Pejës, themeloi së bashku me shumë shokë Shoqatën për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, ndërsa në Kuvendin e Parë të Shoqatës u zgjodh Kryetar, post të cilin e mban edhe aktualisht. Bashkë me veprimtarë të tjerë pejanë, themeloi Këshillin e Solidaritetit, këshill ky i cili ndihmoi minatorët e Trepçës, të Goleshit, Kishnicës, Fabrikës së Municionit në Skenderaj si dhe grumbulluan e dhanë pagat e para për arsimtarët shqiptarë të Komunës së Pejës, transmeton Botasot.

Në vitin 1995 u burgos nga regjimi serb, pas organizimit me shumë shokë të përpjekjeve për armatosjen e shqiptarëve të Kosovës për t’u vetëmbrojte nga hordhitë serbe. Ka bërë disa vite burg në Burgun e Dubravës, Lipjanit, Pejës dhe atë të Pozharevcit.  Themelues i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e veta (1990); Themelues i Këshillit të Solidaritetit në Pejë (1990); Themelues i Partisë Republikane të Kosovës; Themelues i Odës Ekonomike të Kosovës; Anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK); Shef i Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj (2004/2005); Këshilltar i Kryeministrit Bajram Kosumi; Këshilltar i Kryeministrit Agim Çeku; Anëtar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës. Aktualisht këshilltar i Kryeministrit për Diasporë.

Botime: “Edhe ti Atdhe” (poezi); “Vargje vetmie” (poezi); “Shpërngulja e shqiptarëve nga Peja dhe rrethina 1912/1994” (dokumentim faktografik): “Kosova nga Naçertania deri te Pavarësia” (monografi). Vëllimi shqip-rumanisht, që e sheh dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë, është libri i tretë me poezi, pas të cilit pasojnë edhe dy vëllime të reja: “Mos eja në ëndërr” dhe “Dehja e dashurisë” (Prishtinë 2018, Bukuresht 2018).