Një i infektuar nga Peja në gjendje të rëndë, pesë të tjerët po trajtohen në shtëpi

06.04.2020 17:51:31

Njëri prej pacientëve të infektuar me koronavirus nga komuna e Pejës, i cili është duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë është në gjendje të rëndë, ndërsa pesë të tjerë janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre dhe gjendja shëndetësore e tyre është stabile.

Kështu ka thënë për lajmi.net Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Pejës, Petrit Loci.

“Një është i shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, aty paraqitet gjendja me e rëndë e pacientit, ndërsa pesë raste të tjera që janë në Pejë, katër janë në fashat të izoluara ndërsa një është i izoluar në lagjen “Dardania”. Gjendja e tyre është stabile. Edhe para konfirmimit se janë pozitiv por edhe tani gjendja e tyre paraqitet stabile”, ka thënë Loci.

Ai thotë se në dy ditët e fundit nuk kanë pasur asnjë rast të dyshuar me koronavirus.

“Faktikisht gjatë gjithë kohës dërgojmë persona të dyshuar për testim. Faktikisht vetëm dy ditët e fundit nuk kemi dërguar asnjë, d.m.th s’ka pasur asnjë të dyshuar. Në momentet që kemi ne i dërgojmë për në Kliniken Infinitive”, ka thënë Loci .

Në Kosovë deri më tani janë 145 raste me Covid-19, tre persona kanë humbur jetën, ndërsa 23 janë shëruar.