Një i vdekur dhe disa të lënduar – policia jep detajet rreth aksidentit të rëndë në rrugën Gjakovë-Prishtinë

11.09.2017 14:43:43

Gjatë ditës së sotme, në ora 11:20 në rrugën magjistrale Gjakovë-Prishtinë në fshatin Mrasorë ka ndodhur aksident i rëndë komunikacioni ku si pasojë ka humbur jetën një person dhe disa të tjerë janë lënduar.

Sipas Policisë së Kosovës, deri te aksidenti ka ardhur përderisa një automjet udhëtarësh hyn në tejkalim në mënyrë të pasigurt me ç’rast godet një automjet tjetër në lëvizje i cili ishte në krahun e kundërt e pastaj përplaset drejtë për së drejti edhe në automjetin tjetër i cili po ashtu ishte në drejtim të kundërt.

“Si pasojë humb jetën në vendin e ngjarjes ngasësi i automjetit që ka shkaktuar aksidentin dhe lëndohen disa të tjerë të cilët dërgohen në qendrat Emergjente në Gjakovë dhe Pejë. Viktimë e këtij aksidenti është personi I . B, 79 vjeçar kosovar/shqiptar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej bëhet e ditur se të gjitha njësitet relevante të Policisë së Kosovës kanë dal në vendin e ngjarjes dhe rasti po hetohet nga njësiti i Trafikut Rajonal në Gjakovë.