Një lule për Hashim Thaçin nga William Walker

15.01.2018 16:18:32

Nga Rexhep Kastrati

Ish-shefi misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, sot në 19 vjetorin e masakrës së Reçakut i ka dhuruar një lule Hashim Thaçit që ky i fundit të mos harrojë viktimat e luftës! Dhe ky është gjesti më i rëndë që mund t’i bëhej Hashim Thaçit, njeriut që konsiderohej udhëheqësi i luftës në Koosvë, por që gjatë viteve sikur kishte harruar se përse ishte bërë lufta dhe se përse ishte masakruar një popull i tërë. E Walker e tha qartë sot: Njerëzit nuk kanë vdekur që ta shohin Kosovën ku është tash! Dhe Kosova ku është tash, është edhe falë angazhimeve të Hashim Thaçit dhe të linjës së Tiranës/Kretës, e cila që nga fillimi kishte bërë shumë veprime që nga ndarja e Kosovës mbi baza etnike, e deri te kapja e të gjitha segmenteve të shtetit për ta prurë në një gjendje në të cilën paligjshmëria është rregull, forca e bën fuqinë, dhe ku intrigat, servilizmi dhe oportunizmi janë veçori kryesore. Imazhi i Kosovës është prishur shumë sidomos gjatë viteve 2015-2016 kur u shpërfaqën edhe format më agresive dhe më të egra të anakrisë, të dhunës dhe të kundërshtetit në përgjithësi, të shoqëruara edhe me ndjenja dhe anagzhime të hapura kundëramerikane dhe kundërperëndimore në përgjithësi. Si rezultat i gjithë këtyre, sot kemi një aboslutizim të pushtetit nga linja e Tiranës/Kretës në krye me hashim Thaçin.

Një lule për Hashim Thaçin nga njeriu meritor për lirinë dhe shpëtimin e një populli, nga një mik dhe aleat i përhershëm i shqiptarëve, është sintetizim i të gjitha pakënaqësive që mund të ketë shkaktuar ai dhe linja e Tiranës/Kretës, e po ashtu, është sintetizim edhe i thirrjes për t’i dhënë fund angazhimeve që bien ndesh me arsyet e rënies së viktimave të një populli nga makineria e dhunës dhe e gjenocidit serb mbi shqiptarët. Një lule që jepet vetëm një ditë apo dy pas thirrjes së DASH për shtetasit amerikanë që të kenë kujdes se në Kosovë mund të ketë dhunë, madje dhe politike, ka mesazhin e qartë për të mos përgjakur më Kosovën dhe të mos harrohet se njerëzit nuk kanë vdekur për ta parë Kosovën të përgjaket edhe më tej.

Në prag të mundësisë që të shfuqizohet Gjykata Speciale, për çka edhe mund të ketë polarizim politik me mundësi edhe të dhunës politike, që mund të ketë qenë arsye përse DASH të ketë tërheqë vërejtjen për shtetasit e saj në Kosovë, një lule e William Walker për Hashim Thaçit mund të konsiderohet edhe si identifikim dhe paralajmërim që të mos përgjaket paqja që lidhet edhe me masakrën e Reçakut!