Një maji dhe koncepti i presidentit Rugova për çështjen e punëtorëve

01.05.2018 15:35:08

Nga Rexhep Kastrati

Një maji është dita e punëtorëve, të cilët janë të tubuar në sindikata të ndryshme, e që lënë shumë për të dëshiruar sa i përket pavarësisë së tyre sindikale në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve.

Presidenti Rugova, në kuadër të filozofisë së tij politike dhe të zgjidhjes së çështjeve konkrete ka pasur edhe konceptin e tij për çështjen e punëtorëve dhe të drejtave të tyre.

Përveç elementeve standardë që burojnë edhe nga karta e Organizatës Ndërkombëtare të Punës – ILO, preisdenti Rugova kishte parasysh edhe veçoritë e çështjes së punëtorëve në Kosovë. Në këtë kontekst, presidenti Rugova në konceptin e tij për këtë çështje, kishte edhe që punëtorët që do të arrinin moshën 55 vjeç të pensionoheshin para kohe, dhe në vend të tyre të punësoheshin të rinjtë. Pensionimi i parakohshëm nuk nënkuptonte trajtim të padinjitetshëm, ashtu siç ka ndodhur dhe siç po ndodh edhe tash ndaj pensionistëve, por nënkuptonte trajtimin financiar dhe tjetër në bazë të pagës, përkatësisht të të drejtave thelbësore të punëtorëve.

Në këtë mënyrë do të hapeshin shumë vende pune për të rinjtë dhe të rejat, e të cilët nuk do të ishin të detyruar të merrnin rrugën e largimit nga Kosova për një jetë më të mirë.

Ky koncept, ndërkaq, ka qenë i lidhur edhe me konceptin e tërësishëm ekonomik të presidentit Rugova, e ku konsistonte përkrahja e madhe ndaj prodhimit vendor, pra një mbështetje e fuqishme ndaj ekonomisë prodhuese.

Po ashtu, presidenti Rugova kishte në konceptin e tij ekonomik edhe çështjen e privatizimit, të cilën e shihte si çështje thelbësore për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Presidenti Rugova ishte për privatizim të kushtëzuar jo nga çmimi i shitjes së aseteve ekonomike, por me kushtin që privatizuesi apo privatizuesit të mos ndryshonin karakterin e ndërmarrjeve që do të privatizoheshin, si dhe të sigurohej jo vetëm vazhdimësia e prodhimit, por edhe e numrit të punëtorëve. Një plan investiv dhe i rritjes së numrit të punëtorëve, po ashtu, ishte pjesë e këtij koncepti.

Spin of special ishte një formë e zbehtë dhe mutiativ i koncpeptit të presidentit Rugova për ekonominë, që nuk solli efektet e duhura qoftë në punësim, qoftë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Edhe çështja e investimeve të huaja në Kosovë, ishte një nga elementet thelbësore të konceptit ekonomik të presidentit Rugova, sepse në këtë mënyrë edhe ndihmohej ekonomia e Kosovës, edhe punësimi, edhe zhvillimi i gjithmbarshëm ekonomik dhe stabiliteti ekonomik e financiar i vendit.

Zbatimi i konceptit të këtillë ekonomik do të mund të ruante shumicën e fabrikave të pacenuara, numri i punëtorëve do të ishte edhe më i madh dhe sot do të kishim edhe zhvillim më të madhe dhe më të qëndrueshëm ekonomik, edhe një klasë punëtore më të madhe dhe më të konsoliduar.

Ky koncept u kundërshtua nga strukurat mafiozo-politike që u përkrahën edhe nga UNMIK-u, i cili ishte vetëshpallë administratore e pasurisë ekonomike të Kosovës, dhe për pasojë filloi një proces privatizimi që u parapri nga shkatërrimi de facto i ndërmarrjeve ekonomike, e në raste edhe nga një komeprcializim i tyre për 10 vjet.

Për pasojë kemi këtë gjendje që kemi dhe kemi këtë pozitë të punëtorëve të Kosovës.