Një muaj nga tërmeti katastrofik që tronditi Shqipërinë, njerëzit ende me frikë

26.12.2019 12:23:13

Shqipëria ndodhet prej një muaji në tmerr dhe ankth, pas tërmetit që goditi vendin. Që prej 26 nëntorit, qetësia për shqiptarët ka humbur, sidomos në tre qarqet e vendit, Durrës, Tiranë dhe Lezhë. 51 persona humbën jetën, ndërsa mbi 900 të tjerë u plagosën dhe morën trajtim shëndetësor në spitale.

Mëngjesin e së martës së 26 nëntorit, në orën 03.54 minuta, vendi u lëkund në mënyrë të tmerrshme nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Tërmeti zgjati mbi 30 sekonda dhe tronditi Durrësin, Thumanën e Tiranës, tre zonat më të goditura, por u ndje thuajse në të gjithë Shqipërinë. Në Durrës dhe Thumanë shumë ndërtesa u kthyen në gërmadha, ndërsa 51 qytetarë u nxorën prej aty të pajetë.

Ekipet e kërkim-shpëtimit nga Kosova, Greqia dhe vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian u sensibilizuan menjëherë dhe zbarkuan në vendin tonë, duke gërmuar nën rrënoja për shpëtim jetësh, prej ku arritën të nxirrnin të gjallë 45 persona. Ky ishte tërmeti më i fuqishëm i dekadave të fundit në Shqipëri dhe që la pas më shumë viktima e shkatërrim.

Tashmë, një muaj pas tërmetit, thuajse është bërë bilanci i dëmeve të shkaktuara, njerëzit janë akomoduar nëpër hotele, banesa sociale dhe çadra dimërore, ndërsa vijon puna për mbledhjen e fondeve dhe nisjen e procesit të rindërtimit. Shumë vende kanë ofruar ndihmën e tyre për rindërtimin, dhe siç ka deklaruar kryeministri Edi Rama, pritet të nisë së shpejti.

Nga pallati ku humbën jetën 7 persona në lagjen 18 të Durrësit, pranë degës së Kryqit të Kuq, ka mbetur një hapësirë e madhe boshe që mbushet me kaltërsinë e qiellit, ndërsa një grumbull rrënojash i pahequr mbështetet në pallatin, dikur fqinj me të.

Asgjë s’ka mbetur. Katër pjesëtarët e familjes Reçi, së bashku me Diena Meçe Karanxhën, vajzën e saj të mitur dhe të ëmën nuk janë më prej një muaji. U larguan bashkë me të tjera viktima që mbetën në rrënojat e objekteve të tjera duke lënë pas dhembjen dhe hidhësinë e një abuzimi të frikshëm vdekjeprurës në fushën e ndërtimeve, ndërsa ende përgjegjësit e kësaj fatkeqësie nuk janë vënë para drejtësisë. Viktimat e tërmetit dhe mijëra të prekur prej tij, që kanë mbetur pa shtëpi, si pasojë e ndërtimeve jashtë standardit, kërkojnë drejtësi.