Eshref Ymeri dhe Santa Barbara: Letër për Aurel Desaretin

26.04.2019 09:37:19

I dashur Aurel,

Ju përshëndes dhe ju shtrëngoj dorën fort për analizat tuaja me frymëzim nacionalist të shkëlqyer. E kuptoj plotësisht shqetësimin tuaj për fatet e kombit shqiptar. Me sa duket, ore i dashur Aurel, kombi shqiptar duhet të ketë mallkim hyjnor. Se si mund ta shpjegosh ndryshe që nga gjiri i tij në krye të skenës politike dalin vetëm politikanë tradhtarë?
Trekëndëshi Tiranë-Prishtinë-Shkup ka në krye vetëm politikanë-tradhtarë të kombit shqiptar, mercenarë në shërbim të grekosllavizmit, të cilët gëzojnë përkrahjen tërësore të “kurvës së motit”, siç e stigmatizonte me shumë të drejtë Fishta i Madh Evropën, e cila sot përfaqësohet nga Brukseli. Pikërisht ky Brukseli i famshëm është përkrahës i fuqishëm i kryepolitikanëve të tillë pa dinjitet kombëtar në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup.
Mercenarizmi, tradhëria janë sëmundje gjenetike të etnisë shqiptare, e cilia, një herë e një kohë, ka pasë qenë etnia më e madhe e gadishullit ilirik, me popullsinë më të madhe se etnitë e tjera dhe me një shtrirje gjeografike që nga Peloponezi deri në Danub. Kurse sot shiko se si është katandisur dhe gjasat janë se, me kalimin e shekujve, do të shkojë drejt shpërbërjes tërësore.
Më thoni, ju lutem se në cilin shtet dhe në cilin qytet banoni. Po ta quani të arsyeshme, më dërgoni edhe numrin e telefonit se ju marr unë që të bisedojmë.
Ju uroj shëndet dhe mbarësi familjare.
Me respekt.
Prof.dr. Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
25 prill 2019