Një portret për Remzi Peranin, 52 vjet mërgimtar në Suedi

Njëri nga mërgimtarët më të vjetër shqiptar në Stokholm është edhe Remzi Perani.

E zhvillova një bisedë krejt spontane me Remziun, së pari sepse ai është shumë i matur dhe modest nga natyra dhe gjithmonë preferon që gjërat ë thuhen mundësisht sa më thjeshtë, pa teprime.

Në pyetjen time se cila ishte arsyeja e cila e detyroi që të largohet nga Kosova, mu përgjigj se; ai ishte i arrestuar në vitin 1959 në Prishtinë nga Momo Ҫanoviqi, në qelinë numër 17.

Arësyja e arrastimit të tij ishte se ai bashkë me disa shokë të tjerë kishte marrë pjesë në një bisedë për të organizuar ngritjen e flamurit kombëtar në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Dikush i kishte zbuluar dhe Remziun e arrestojnë. Por së shpejti e lëshojnë në liri me kusht që Remziu të mbledhi informata për UDB dhe të bashkëpunojë me ta.

Mbas daljes nga burgu, Remziu largohet nga Kosova dhe fillimisht vendoset në Kroaci. Atje Remziu gjen mbështetje prej shqiptarëve të cilët e strehojnë në shtëpi të tyre. Remziu thotë: ”Shqiptarët në Kroaci kanë tregu burrni sepse më kanë mbajtë në shtëpitë e tyre”. Në fillim kur u largua nga Prishtina Remziu ishte së bashku me Rafael Sopin dhe qëndruan së bashku për 3 muaj.

Pas largimit të Remziut nga Prishtina, UDBja i bënte presion sistematik Babës dhe kërkonte që të tregojë se ku gjindet djali. Në të njejtën kohë vëllau i Remziut, Shemsiu gjindej në burg në Mitrovicë të Sremit i dënuar me 10 vite burgim për aktivitet politik kombëtar si NDSHist.

”Familja ime si shumë familje tjera shqiptare në atë kohë, ka vuajtur shumë vetëm e vetëm se punonim për flamur dhe bashkim kombëtar”-thotë Remziu.

Me 22 dhjetor të vitit 1959 Remziu arrin që të kalojë kufirin e Italisë. Nga 23 dhjetori 1959 ai qëndron në një pansionat në Trieshtë për 10 muaj. Në Itali merr statusin e azilantit politik kështuqë nga Trieshta vendoset në Suedi, në vitin 1960.

Në fillim Remziu punësohet në një fabrikë të vidave dhe pastaj punësohet si montues i pjesëve elektronike të  makinave të tetrapakut në Lund.

Në vitin 1964 punësohet si teknik zëri në Radio, në Malmö. Aty punoi dy vite dhe në vitin 1966 shpërngulet në Stokholm dhe  punësohet në Radio Suedi ku punon deri në pension të parakohshëm në vitin 1990.

Remziu edhe para largimit nga Kosova, ka punuar në Radio Prishtinë si teknik i zërit.

Në Stokholm Remziu njihet me dy shqiptarë të cilët i gjen në Stokholm, z.Hasan Berisha dhe z.Françesk Kallmeti tashmë të dy të ndjerë.

Remzi Perani ka krijuar familje në Stokholm. Êshtë i martuar me znj.Eva e cila ka titullin doktor shkencash në mikro biologji dhe ka punuar si mësimdhënëse në gjimnaz deri në pensionim.

Remziu ka dy djem Joakimi Samiu dhe Henriku Janiu. Por tani Remziu është edhe një gjysh i lumtur me dy mbesat e tij Matildën dhe Rebekën.

Puna e Remziut si mjeshtër zëri në Radio , i ka mundësuar atij që të vizitojë shumë vende të botës.

Ka qenë i angazhuar në xhirime të ndryshme si ngjarje sportive e kulturore poashtu edhe ngjarje të ndryshme politike të rëndësishme.

Ky profesion ka bërë që Remziu të takohet me personalitete të ndryshme të jetës politike, kulturore dhe sportive. Me personalitete të skenave të botës, me njerëz të kongreseve e takimeve ndërkombëtare si dhe me sportistë kulmorë të nivelit botëror.

Remziu është modest gjatë tregimit të ngjarjeve që ka përjetuar në jetë. Arësyet janë edhe të natyrës emocionale por edhe të karakterit të tij modest kur i vie puna që të flasë për vehten e vet.

Megjithate krejt natyrshëm dhe pa ekzagjërime arrita që ta kuptoj se Remziu kishte vizituar shumë vende të botës si: vendet skandinave, ish-Jugosllavinë, Anglinë, Amerikën Latine, Rusinë, Romën e të tjera.

Edhepse ai nuk e thotë vetë por e di se si punëtor i Radios, Remziu ka pasë kontakt me gazetarë dhe personalitete të shumta të jetës politike në Suedi. Sigurisht që ai ka ndikuar që gazetarët të njihen me çështjen e Kosovës dhe të interesohen për shqiptarët e shtypur.

Njëra nga arësyet se pse ai nuk flet për kontributin e vet kombëtar është për shkak se; ”Të tjerët e kanë dhanë jetën për Atëdhe, e ajo se çfarë kam bë unë është shumë pak në krahasim me dëshmorët dhe martirët e kombit” – thotë Remziu.

Por Remziu e pranon se ai kishte fat me punën e tij sepse është një profesion që shumëkush do të dëshironte ta ketë këtu në Suedi sepse ka punuar me fusha të ndryshme dhe me personalitete te ndryshme të këtyre fushave, si kulturë, politikë, sport dhe çështje shoqërore.

”Kam marrë pjesë në koncerte të ndryshme, në kampionate botërore të tenisit, skijimit, fubollit, pingpongut e tj. Kam punuar edhe në Radio Teatër 3 vite.” – thotë Remziu. ”Kam pasë fatin të lëviz shumë dhe kam takuar njerëz të të gjitha shtresave shoqërore. Por për mua takimi më mbresëlënës është takimi me Nënë Terezën  në vitin 1979 me rastin  e nderimit të Nënë Terezës me çmimin e Nobelit për paqe në Osllo. Për mua ai takim në të cilin ishte prezenet edhe vëllai i Nënë Terezës, është takimi të cilin nuk do ta harroj kurrë”.

Në pytjen time se kur shkove për herë të parë në Kosovë dhe a pate problem me pushtetin, Remziu u përgjigj: ”Në vitin 1967 shkova për herë të parë. Po, UDBja e ngacmonin Shemsiun, e thërrisnin në polici dhe e maltretonin me bisedat e tyre. Për këtë arsye unë vendosa të flej në Shkup te motra, kurse ditën shkoja në Prishtinë. Ndërsa kur shkova më vonë kur më vdiqën prindët nuk më ngacmuan mua por e ngacmonin Shemsiun. Sot kur e mendoj, vërtet ka qenë rrezik, ishin kohna të vështira”. Tani shkoj lirisht në Kosovë. Unë Kosovën nuk e kam harruar kurrë, gjithmonë e kam mbajt në mendje” – thotë Remziu.

Remziu flet me pasion për Prishtinën, qytetin e tij të lindjes. Ai përshkruan çdo rrugicë nëpër të cilën ka kaluar si fëmij dhe i ri.

I përkujton me përpikmëri shtëpitë, rrugicat, krojet e kopshtijet. Të le përshtypjen se po flet nga aty, nga ato vende.

Ka shumë ngjarje të paharrueshme nga jeta e tij në Prishtinë. Por këto i flet me shumë dashuri vetëm kur është në disponim të mirë dhe kur ka fuqi që malli mos ta tradhëtojë.

Me dëshirë flet për gjërat pozitive që ndodhin në botën shqiptare por në anën tjetër e mundojnë pa masë ato negativet. Ngryset sepse nuk do të shohë keq në Atdheun e vet. Ai e do Atdheun e vet mbi të gjitha prandaj nuk do ti pranoja gjërat që shkojnë mbrapsht.

Remziu ka pasë shpesh mysafirë nga Kosova, njerëz që kanë ardhë në Stokholm janë takuar me Remziun sepse ai është munduar që të ju ndihmojë. Por Remziu nuk ka qejf ti përmend të mirat që ia bën dikujt, prandaj me pyetjet e mia pothuajse e detyrova që të më tregojë për ata njerëz që kanë pasë mbështetje të Remziu, qoftë me mikritje në shtëpi apo duke ju ndihmuar edhe si mysafir në Stokholm.

”Po, kam pasë mysafir nganjëhere, mjek, deputet te Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 90’, artistë, ka qenë te unë edhe Adem Demaçi. Por Ademin e kam shok fëmijërie. Por nuk janë gjana që përmenden këto, njerëzit kanë ba shumë më shumë se unë, njerëzit kanë dhanë jetën për Atëdhe”- u përgjigj me ofshamë.

Remziu ka qenë edhe anëtar i kryesive të disa shoqatave por atë që Remziu përmendi është se ai ka qenë anëtar i kryesisë së Shoqatës Suedezo – Shqiptare dhe në kuadër të saj ka pasë bashkëpunim të mirë me Ullmar Qvikun, albanologun dhe mikun e madh të shqiptarëve në Suedi. Kah mesi i viteve të 90’ Remziu Remziu ka kontribuar me pasurimin e bibliotekës se shoqatës me shumë titujsh me libra. Dhe jo vetëm në shoqatë por Remziu ka bë paisjen me libra edhe të bibliotekës së qytetit të Stokholmit. Libra këto të cilat i vëllai i Remziut, Shemsiu i pati sjellur me autobus nga Prishtina në Stokholm.

Shumë shqiptarë e njohin Remziun edhe si përkthyes i cili ka punuar në fillim të viteve të 90’.

Në pyetjen time se cili është kujtimi që të ka mërzitur më së shumti, Remziu u përgjigj: ”Lufta më ka tronditur shumë. Ky është përjetimi më i rëndë për mua”.

Në lidhje me bashkëpunimin në mes të shqiptarëve, Remziu u shpreh:”Mendoj se shqiptarët edhe këtu edhe atje nuk kanë bashkëpunim pozitiv. Mua kjo gjendej më ka munduar shumë. Grindje e vazhdueshme në mes të majtës dhe të djathtës. Përçarje si në historinë tonë, si sot. Përçarje në mes të Kadaresë dhe Qosjes. Në vend se ta bashkojnë kombin. Këto përçarje ju ngjajnë përçarjeve të Principatave në Shqipëri. Këto janë zhvillime shumë negative për kombin. Por ka edhe patriotë të mirë të cilët kanë dhënë shumë. Kurse ata që ranë për liri sot nuk janë dhe të tjerët po i harrojnë ata që ranë për lirinë. Edhe një gjë që po më brengos, janë vrasjet që po ndodhin shpesh në këtë kohë” – përfundoi Remziu i zhytur si gjithëherë në mendime si një mërgimtar i cili cdo minutë të jetës së vet në mërgim, në mendje dhe shpirt e ka Kosovën dhe Kombin.

Qibrije Hoxha