Një ton kanabis në Athinë, gjashtë shqiptarë të arrestuar

20.10.2016 21:41:23

Policia greke ka sekuestruar rreth 1 ton drogë të llojit kanabis sativa në zonën e Afidnes, ndërsa ka prangosur 7 shtetas midis të cilëve 6 shqiptarë dhe një shtetas grek, i cilësuar si baroni i drogës për gjithë Europën.

Droga është gjetur në një magazinë e paketuar, ndërsa një kamion i ngarkuar me të ishte gati për të nisur rrugëtimin për tu nisur drejt Europës veriore.

Mediat vendase dhe autoritetet greke raportojnë se sasia e madhe e kanabisit kishte mbërritur në Greqi nga Shqipëria me kamion dhe kishte destinacion vendet e tjera të BE.

Gjatë operacionit policia ka sekuestruar sasinë e konsiderueshme të drogës, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i personave të arrestuar. Sipas burimeve zyrtare të cituara nga mediat greke në këtë magazinë kryheshin të gjitha proceset e përpunimit dhe paketimit të marihuanës.

Po sipas mediave vendase, policia nisi hetimet pas dyshimeve për transferta të mëdha parash   tek personat që e kishin në pronësi këtë magazinë, shkruan Lapsi.al.

Një muaj më parë e njëjta sasi droge u sekuestrua nga autoritetet greke gjatë një operacioni të finalizuar në brigjet e Mesologjit, ku autoritetet raportuan se droga vinte nga Shqipëria dhe kishte destinacion Patrën në Greqi.

Ndërsa në Itali GDF sekuestroi 330 kg marijuanë në bordin e një furgoni që udhëtonte nga qyteti i Leçes në qytetin e Romës dhe ka arrestuar një shtetas Italian.

Policia bën të ditur se lënda narkotike ishte e ndarë në 15 pako të mëdha e të lidhura me ngjitës, një mënyrë kjo tipike e përdorur nga trafikantët shqiptarë për të mbrojtur lëndën narkotike nga ujë përgjatë udhëtimit përmes Adriatiku.