Një ton kokainë në Spanjë, goditet grupi shqiptar i drogës

30.04.2018 13:54:34
Goditet mafia shqiptare në Madrid është titulli i portalit madrilen, ABC, i cili bën të ditur se janë sekuestruar 1 ton kokainë dhe 1.5 milionë euro

Media spanjolle bën të ditur se operacioni është organizuar në bashkëpunim me DEA-n amerikane, drejtorinë e antitrafikut të Kolumbisë, dhe koordinimit me Europol.

Organizata, thotë ABC Madrid, transportonte kokainën në sasi të mëdha nga Kolumbia, dhe përdornin një rrjet kriminal spanjoll, që e njihnin “botën e natës” të shpërndarjes.

Droga transferohej me valixhe të mëdha të zeza, dhe pretendonin se ishin një shërbim ekskluziv transporti. Pesë persona janë arrestuar nga ky megaoperacion.

Hetimet nisën nëntorin e kaluar, kur agjentët nisën survejimin e një organizate kriminale shqiptare që jetojnë në Spanjë e sillnin kokainën me sasi të mëdha me avionë çarter nga Kolumbia. Agjentët zbuluan se drejtuesi i grupit kriminal jetonte në Spanjë si një pikë e qëndrueshme për hyrjen e drogës në Europë.

Një dërgesë e kokainës ishte ruajtur në Madrid për shpërndarje dhe autoritetet zbuluan 790 pako që përmbanin 1 ton kokainë dhe gjetën 1.5 milionë euro, brenda një valixhe, që do përdoreshin për pagesën e drogës.

Dy shtetas shqiptarë u arrestuan në Madrid, që sipas ABC Madrid ishin përgjegjësi i drogës dhe personi i tij i besuar i grupit kriminal. Gjithashtu u arrestuan dhe dy spanjoll me shumë dokumente identifikimi, që kishin përsipër detyrën e marrjes grumbullimit dhe transportit të drogës. Gjithashtu në Kolumbi i arrestua dhe kreu i organizatës i cili ishte arratisur nga Spanja në Kolumbi pas sekuestrimit të drogës në Spanjë.

Përveç drogës dhe parave, policia sekuestroi pesë makina luksoze, telefona, distinktiv të rremë policie dhe armë.