Njeriu i Trump: Euro do dështojë! Trump flet për kodet bërthamore

26.01.2017 13:46:09

Presidenti i ri amerikan, Donald Trump, e ka nisur me furi punën e tij.Pas lajmit se do të ndërtojë një mur në kufirin me Meksikën, ka reaguar presidenti i këtij vendi, duke thënë se Meksika nuk do të paguajë për murin.

Ndërkohë, pak ditë pasi Trump paralajmëroi se Bashkimi Europian mund të jetë duke ‘vdekur’, njeriu që mendohet se do jetë ambasadori i SHBA pranë Bashkimit Europian, ka një parashikim ogurzi.

Profesori Ted Malloch tha se monedha e përbashkët europiane mund të dështojë brenda 18 muajsh.

Ai tha se SHBA dhe Britania do nënshkruajnë një marrëveshje tregtie të përbashkët brenda disa muajsh.

Sipas tij, është në interesin e SHBA që Britania të realizojë një largim të pastër nga BE.

Kurse presidenti Trump ka dhënë të parën intervistë që kur bëri betimin.

Duke folur për ABC, ai tha se beson se do bëjë punën e duhur.

Trump vlerësoi letrën që i ka lënë Obama, duke thënë se ishte një letër e bukur.

Trump hapi dyert e Shtëpisë së Bardhë, e cila po ridekorohet.

Trump tha se marrja nën kontroll e kodeve bërthamore nga ana e tij ishte një moment i sikletshëm.

Ai pranoi se edhe ai ndjehej i frikësuar.

Një tjetër deklaratë e tij, që zuri vend në faqet e para të mediave, ishte se torturat me mbytje me ujë, funksionojnë.

Duke folur për ndalimin që u ka bërë disa vendeve myslimane që të hyjnë në SHBA, Trump tha se tashmë do jetë shumë e vështirë për të ardhur në Amerikë.

Presidenti tha se po të kishte bërë fushatë për votën popullore, do e kishte fituar edhe atë.