NJERIU MEDITANT E NJERIU MILITANT

03.08.2019 22:51:54
Hamiti për Rugovën / Rugova për Hamitin
“Vepra e madhe dhe e ndërliqshme kritike e Ibrahim Rugovës e ka bërë autorin njërin ndër mendimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë për letërsinë.
Konteksti sociokulturor, thuhej më parë, por rrethanat nacionale, do të thuhej më vonë, e bënë apo e detyruan Ibrahim Rugovën që nga njeriu meditant të kalojë te njeriu militant. I pari i përket domenit të kritikës [letrare]. I dyti domenit të veprimtarisë nacionale.”
“Tashmë është fakt e histori që Ibrahim Rugova mbetet Presidenti historik i Kosovës dhe promovuesi i madh i lirisë, i pavarësisë e i demokracisë së Kosovës”.
“Rugova është një nacionalist i kultivuar. Pra, është shqiptar, në kuptimin rilindës të fjalës. Kjo del natyrshëm nga e kaluara e tij familjare e personale dhe nga formimi kulturor, letrar e historik. Premisat e këtij kualifikimi mund të lexohen në veprat e tij kulturore e kritike, ashtu edhe në veprimet e tij politike“.
Sabri Hamiti, “Memento për Rugovën”, botim i tretë, Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë, 2017, ff. 58-63.
“Në vitet e 90’-ta kur populli i Tij u organizua në vijën intelektuale, politike dhe shtetërore mbi bazë njerëzore e kombëtare, për t’i mbrojtur vlerat perëndimore e qytetëruese, Sabri Hamiti u gjend në mesin e Lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci të Kosovës. Shkrimtarët dhe ushtarët janë përgjithmonë më afër tokës dhe nuk lejojnë t’u rrëshqasë dheu nën këmbë, thotë një thënie e vjetër. Kjo ishte një rezistencë e fuqishmë kombëtare – ku Ai qëndroi burrërisht.”
“Sabri Hamiti është krijues i Zanit – Zërit – Ze-së shqiptare. Kjo ndihet në veprën e tij. Ai është krijues i bukurisë së shqipes, njërës nga gjuhët më të vejtra dhe njërës nga gjuhët çelës të gjuhëve të botës, siç thonë dijetarët.”
Ibrahim Rugova, 22 gusht 2002, me rastin e përurimit të veprës komplete të Sabri Hamitit në 10 vëllime.