Njihemi më shkrimtarët dhe gazetarët shqiptarë të dënuar nga diktatura

10.03.2019 01:31:35

Nga At Zef Pllumi, Musine Kokalari, Jusuf Vrioni, Petro Marko deri te Visar Zhiti dhe Fatos Lubonja
Janë 146 artistë që janë dënuar nga diktatura komuniste. Të qenit kundër Partisë Komuniste e qeverisjes së saj ka internuar burgosur dhe pushkatuar, shkrimtar, poet, dramaturg, regjisor dhe këngëtarë, duke mos lënë jashtë as priftërinj. “Tirana Observer” boton në këtë speciale vetëm emrat e shkrimtarëve dhe të gazetarëve.
JUSUF VRIONI, përkthyes
Përkthyes, shkrimtar, prozator, njeriu që e shkriu tërë jetën e tij për të bërë të njohur letërsinë shqipe nëpër botë. Ai që përktheu në gjuhë të huaj librat e Migjenit e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare.
Jusuf Vrioni lindi më 16 mars të vitit 1916 në Korfuz. Në Francë, Jusufi mbaroi studimet në tre universitete. Më pas më 5 gusht të vitit 1939, ai kthehet në Shqipëri. Emërohet si punonjës i Ministrisë së Jashtme në Romë. Në mars të vitit 1945, i jepet urdhri i mobilizimit duke e emëruar partizan në Brigadën e 16-të Sulmuese. Kur komunistët morën pushtetin dhe në valën e arrestimeve të atyre, familjet e të cilëve kishin qenë të lidhur me Zogun, Jusufi u arrestua.
Më 13 shtator 1947, futet në burg dhe në të njëjtën kohë i internojnë të ëmën në Fier. Në gjyq del pas tre vjetësh dhe dënohet me 15 vjet heqje lirie. Një nga akuzat ishte ajo e agjenti të Francës. I burgosuri Jusuf Vrioni mori pjese ne tharjen e kënetës së Tërbufit dhe në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit. Për sjellje të mirë, ai lirohet më 3 dhjetor të vitit 1959. Emërohet ambasador në Francë, ku vdes më moshën 85-vjeçare.
VISAR ZHITI, poet
Visar Zhiti lindi më 2 dhjetor 1952 në Durrës dhe u rrit në Lushnjë, ku kreu edhe gjimnazin. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Shkodrës e disa vite punoi në Kukës si mësues. 1973 provon të botojë dorëshkrimin poetik Rapsodia e jetës së trëndafilave. Por më 8 nëntor 1979 arrestohet
pas denoncimit që i bënë redaktorët e librit të tij në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, që e cilësonin si armik dhe akuza ndaj tij ishte: Nxirës i realitetit kundra realizmit socialist dhe poezi me ekuivoke
kundra partisë e udhëheqësit të saj”. Edhe një kartolinë që ai ja kishte dërguar mikut të tij poetit Frederik Reshpeja, ju quajt armiqësore. Për ta kopsitur mirë dosjen e tij, Sigurimi detyroi disa mësues, që të dëshmonin kundra kolegut të tyre të shkollës. Më 1980 ai dënohet më 10 vjet burg. Nga këto Visari mundi që të fitojë me punë dhe nga amnistitë afro dy vjet, duke dalë nga burgu në vitin 1987. Atë e dërguan të punonte si punëtor në fabrikën e tullave në Lushnje, pasi i ishte hequr e drejta e profesionit të mësuesit ku punoi deri në vitin 1991.
MUSINE KOKALARI shkrimtare
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan
Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Më 12 nëntor 1944 u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie si desidente. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen. Sëmuret më 1981 nga kanceri dhe vdes pas dy vitesh.
MITRUSH KUTELI, shkrimtar
Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Është cilësuar si shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist mjaft i mirë. Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Studimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht,
ku më 1934 mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Më 1942 u kthye në Shqipëri, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë si përkthyes. Në fillim të vitit 1947, gjatë fushatës së gjerë të arrestimeve të elitës intelektuale shqiptare, dënohet më 10 vjet burg si kundërshtar i regjimit komunist. Nga ky dënim kalon dy vjet në burgjet politike dhe më pas amnistohet dhe fillon të punojë si përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Mitrush Kuteli i cili ka dhënë një kontribut në letërsinë shqiptare vdiq më 4 maj të viti 1967 në Tiranë.
ARSHI PIPA, gazetar, kritik
Do të duhet që ti vinin vitet e demokracisë që ai të vlerësohej, por këtë herë jo si diversant. Arshi Pipa ka lindur në Shkodër më 1920.
Mbaroi shkollën në 1942 dhe mori gradën e doktorit në filozofi. Në 1941, u emërua mësues filozofie në liceun shtetëror të Tiranës. Më pas në prill 1946, u arrestua, për shkak të kundërshtimit të tij për të vepruar në përputhje me politikën e regjimit shqiptar. Kështu vitet 1946-1956, i kalon
në burgjet dhe në kampet e punës së detyruar. Në 1957-ën u arratis për në Jugosllavi, ku jetoi si refugjat. Gjatë asaj periudhe, përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine. Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Madje në këtë shtet, Arshi Pipa ka qenë një nga pedagogët më të mirë ku ka dhënë gjuhë italiane dhe që mbante mbi supe edhe grada si doktor.
GJON SHLLAKU, përkthyes
Lindi në qytetin e kulturës shqiptare në shkodër më 24 mars të viti 1923. është cilësuar si një ndër përkthyesit më të mirë. Por jetë e tij do të ndryshonte kur më 9 dhjetor 1945 kur ishte student në degën e Teologjisë u arrestua si anëtar i organizatës
“Bashkimi shqiptar” për agjitacion dhe propaganda kundër shtetit komunist. U dënua me 101 vjet heqje lirie, por u lirua pas 11 vitesh. Në vitet e burgut Gjon Shllaku duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja përktheu “Punët e Apostujve” tekste biblike nga origjinali, greqishtja e vjetër, “Apokalipsi”. Në vitin 1965 ai përktheu nga origjinali greqishte e vjetër “Iliaden”
e Homerit. Më vonë botoi fjalorin “Helenik” me 20 mijë fjalë greqishte e vjetër-shqip. Është pikërisht profesor Gjon Shllaku, përkthyesi i 50 kryeveprave botërore në të gjitha gjinitë tragjedi, komedi, poezi, prozë, ese, histori etj. Gjon Shllaku, helenisti madh, është edhe fitues i diskut të argjendë nga qeveria greke, si një ndër përkthyesit më të shquar të letersisë antike greke. Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare.
At ANTON HARAPI, shkrimtar
Qenia e tij kundër regjimit komunist do ta dënonte atë me vdekje. Anton Harapi, ka lindur në Shirokë afër Shkodrës. Mësimet e larta i kreu në Vjenë të Austrisë. Shërbeu së pari si famullitar në Grudë të Malit të Zi, më vonë si drejtor i Kolegjës Françeshkane të Shkodrës, edhe si drejtor dhe profesor i filozofisë në gjimnazin ”Illyricum” dhe në vitet 1941-43 si provincial i françeskanëve.
Më 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të lartë të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944.Pas fitores së Ushtrisë nacional-çlirimtare ai u detyrua të fshihej në pyjet e thella të Dukagjinit, në katundin Pulth-Plon, dhe prej andej ai bëri përpjekje për të
organizuar një rezistencë nacionaliste kundër pushtetit komunist. Në qershor 1945 prifti antikomunist, kapet në shtëpin ku kishte marrë strehim. Ai u zbulua për arsye se kishte lënë një protezë dhëmbësh në një gotë uji mbi parmakun e oxha ut. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Atë Anton është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit.
VINÇENST PRENUSHI, poet
Emri i tij nuk do të hiqet nga lista e artistëve të cilët u dënuan nga diktatura, pa pasur një akuzë të qartë dhe bindëse. Mjafton te hidhje një fjalë kundër qeverisjes komuniste dhe veç burgut do të internohej edhe familja. Këtë fat ka pasur edhe poeti Vinçens Prenushi. Ai lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. Boton më 1911 në Sarajevë vëllimin e parë të “Visaret e kombit”, me titull “Kangë popullore gegnishte”. Përktheu gjithashtu disa vepra nga Dante,
Ëisseman, Slenklevicz, etj. Dënohet pa faj me 20 vjet burg më 1947. Por qëndrimi i tij në burg do të zgjaste vetëm dy vjet. Kjo pasi vdes më 19 mars 1949 nga astma. Më vonë në vitet e demokracisë ai do të shpallet “Martir i Demokracisë” më 8 maj 1993 në Durrës.
JORGO BLLACI, poet
Edhe Jorgo Bllaci një ndër poetët më të mirë të vendit nuk i shpëtoi përndjekjes nga regjimi komunist. Jorgo Bllaci ka lindur me 1938 në Gjirokastër.
Ai ka studiuar për Gjuhë-Letërsi shqipe dhe ka punuar së pari mësues e pastaj përkthyes. Në vitet ’50 ai dënohet nga regjimi komunist me dhjetë vite burg, për shkak të bindjeve të tij politike demokrate. Por kalvari i vuajtjeve për Bllacin nuk do të mbaronte këtu.
Pas daljes nga burgu në vitet 1964-1967, Bllacin regjimi e dërgon të punojë si punëtor ndërtimi. Më 1990 ai u kthye përsëri në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri“ ku punon edhe sot.
Jorgo Bllaci ka botuar vëllimet me poezi “Ligjërimet e Pyllit“,(1964) dhe “Epika e trëndafilave” (1990). Gjithashtu ka shqipëruar vepra poetike autorësh të njohur, si Shevcenko, Pushkin, Esenin, Gëte, Du Fu, Frost, vepra në prozë, midis të cilave romanet “Rudini“ dhe “Ujrat pranverorë“ të Turgenievit, si dhe disa libra me poezi për fëmijë.
PETRO MARKO, shkrimtar
Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare
shqiptare, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara nga regjimi komunist. Edhe pse ishte një ndër vullnetarët e luftës së Spanjës dhe i burgosur i fashizmit, kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ai shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër
Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rresht. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë kryesisht nga Beogradi.
DAUT GUMENI, poet
Daut Gumeni është cilësuar si poeti që mbushi qelitë e burgjeve me këngët e lirisë. Ai lindi më 11.03.1943 në Gusmar, Tepelenë në një familje me tradita atdhetare. Në vitet 1957-1961 mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën pedagogjike ”Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Që në shkollë i shfaqi idetë e tij kundër ideologjisë komuniste.
Në këto vite filloi të shkruajë poezi e të konfrontohej me skematizmin e letërsisë së realizmit socialist. Në vitet 1961-1967 punoi si mësues i matematikë-fizikës në rrethin e Tepelenës. Ishte 24 vjeç, kur, në vitin 1967, arrestohet për agjitacion e propagandë kundër Partisë e Pushtetit Popullor dhe për 23 vjet e gjysëm, vuajti dënimin e rreptë të të burgosurit politik, deri në vitin 1990. Një nga kryeakuzat ishte se kishte shkruar poezi reaksionare: antikomuniste e antisocialiste. Pas viteve ’90 ai ka punuar në disa poste të ndryshme shtetëtore.
VILSON BLLOSHMI, poet
Kur thua Vilson Blloshmi nënkupton edhe Genc Lekën, dhe anasjelltas. Ata lindën në muajin Mars. Vilsoni, lindi më 18 mars të vitit 1948, ndërsa,
Genci më 23 mars të vitit 1941. Që të dy ishin nga i njëjti fshat, nga Bërzeshta e Librazhdit, që të dy ishin poetë. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën të njëjtën vdekje dhe në të njëjtën natë. Vilson Blloshmi u pushkatua mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977,
për të vetmin “faj”, se kishin lindur poetë. Të dy poetët e kallur nën dhe u lanë në harresë deri në shembjen e diktaturës, ndërsa poezitë e tyre u shpallën heretike. Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht dhe anglisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë perëndimorë, sidomos ata francezë. Akuza kryesore ndaj tij, ishte poezia “Saharaja”, ku ai e simbolizon Shqipërinë të shkretë dhe pa miq e pa shokë, por Vilsoni u akuza edhe pse kishte thënë se, “që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të dish edhe gjuhë të huaja”.
GENC LEKA, poet
Genc Leka, ishte një mësues shembullor, por për probleme të biografisë e çuan në punë ndërtimi. Edhe pse punonte shumë,
ai gjente kohë që të shkruante edhe poezi. Në aktakuzë ishte shkruajtur se ai ka bërë agjitacion, duke u shprehur se, “normat janë të larta dhe shpenzimet e ulëta sa mezi jetohet”. Ai u akuzua për poezi pesimiste dhe jo realiste, sipas prokurorit, “poezitë shprehnin dëshpërim”. Interpretimi i poezive e rëndoi akuzën. Edhe poezitë e natyrës cilësoheshin si politike.
Genci dhe Vilsoni, në mesnatën e errët të 17 korrikut 1977, u pushkatuan së bashku në një largësi prej rreth 5-6 km në largësi të Librazhdit, në një humnerë që quhet “Përroi” dhe “Firarit”. Për të dy këta poetë është thënë nga shkrimtarët më të mirë se kishin një talent të jashtëzakonshëm në të shkruar. Dhe nëse do të ishin ende gjallë Shqipëria do të kishte edhe dy kollosë të tjerë të letrave shqipe.
KASËM TREBESHINA, shkrimtar
Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim.
Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një çensurë nga më të çuditshmet. “Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studjuesve të letërsisë. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës, ndonëse nuk u botua, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash
(në vitet ’90). Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.
KAPLLAN RESULI, shkrimtar
Kapllan Resuli është pa dyshim një nga shkrimtarët dhe intelektualet më të përfolur, më të sulmuar, më të blasfemuar, më të polemizuar në botën shqiptare.
Ai akuzohet edhe si pansllav, por nga ata tjetër cilësohet si një ndër shkrimtarët atdhetarë më të shquar. Vepra më e njohur e tij është “Tradhëtia, megjithëse shumë pak nga veprat e tij janë botuar në Shqipëri. Kapllan Resuli dënua me dhjetë vjet burg nga regjimi komunist për shkak se pikëpamjet e tij nuk korrespondonin me regjimin e
E. Hoxhës. Resuli ka pranuar se ai është i majtë, por jo me komunizmin që u ngulit në Shqipëri të cilin ai e quajti komunizëm banditesk, çka i kushtoi shumë rëndë. Pas viteve ’90 edhe pse si Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, por edhe më vonë ish-kryeministri Fatos Nano i kanë kërkuar falje Resulit në emër të popullit shqiptar dhe që të kthehej në atdhe, ai vazhdon të jetojë të në Zvicër.
FATOS LUBONJA, gazetar
Fatos Lubonja është një ndër publicistët, humanistët dhe shkrimtarët të më shquar shqiptar. Ai lindi në Tiranë në vitin 1951 dhe mbaroi studimet për fizikë në vitin 1974 në Universitetin e Tiranës. U akuzua dhe arrestua për shkrimet që iu gjetën të fshehura, për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit dhe për to u dënua 7 vite burgim. Në vitin 1979 u arrestua sërish dhe u dënua sërish edhe 16 vite të tjera burgim,
me akuzën si pjesëtar i një organizate kundër revolucionare. Nga burgu u lirua në vitin 1991, pas shtatëmbëdhjetë vitesh burgim. Nga koha e lirimit gjer në vitin 1993 punoi si sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Në vitin 1994 themeloi revistën “Përpjekja”. Në vitin 1997 u zgjodh lider i Forumit për Demokraci. Tashmë ai është një nga publicistët më të njohur dhe më peshë në vend.
HAVZI NELA, poet
Poeti kryengritës, nga Kollovozi i Kukësit, Havzi Nela (1934 – 1988), ishte njëri nga ata që s`u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij. Këtë të keqe ai e kishte vërejtur që herët. Pasi që kishte kryer Shkollën Pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të “papëlqyera” për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Në shenjë mospajtimi
me atë që po ndodhte me vendin e tij, më 27 prill të vitit 1967, ai vendos të braktisë vendin dhe ikën në Kosovë. Por, ikja nga atdheu dhe kalimi ilegalisht në Kosovë, qe një tjetër fatalizëm, një tjetër mallkim për poetin dhe mësuesin Havzi Nela, sepse atë e kthejnë sërish në atdhe, ku tani e pritnin pesëmbëdhjetë vite në burgun e Spaçit, të njohur për tmerret e tij, por edhe në burgjet dhe kampet e tjera të asaj kohe, ku ridënohet për shkak të qëndrimit të “pandreqshëm” të tij. Havzi Nela u ndëshkua mizorisht me varje në Kukës, më 10 gusht 1988, dy vjet para se të përmbysej regjimi mesjetar komunist në Shqipëri.
At ZEF PLLUMI, shkrimtar
At Zef Pllumi është një nga personalitetet më të mëdhenj të kombit tonë. Ai lindi në vitin 1924, në Malin e Rençit (Lezhë), vdiq më 26 shtator të vitit 2007 në Romë. Ishte në moshën 22-vjeçare, kur në fund të vitit 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg, të cilat i vuan në kampet famëkeqe të Bedenit dhe Orman-Pojanit.
Shkak për arrestimin e tij, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë at Zefi, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. Me ardhjen e demokracisë rifillon meshtarinë tek kisha e Shna Nout në Tiranë dhe prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën.
Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për at Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet ”Françeskanët e mëdhenj” etj. Presidenti Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. At Zef Pllumi vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë në Itali, kurse u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.
Emri Pozicioni Dënimi
QANI PANARITI përkthyes pushkatuar
DHIMITËR FALLA përkthyes pushkatuar
VINÇEST PRENUSHI poet vdekur në burg
MYZAFER PIPA gazetar vdekur në hetuesi
ARSHI PIPA poet burgosur
ETHEM HAXHIADEMI poet, dramaturg vdekur në burg
At GJON SHLLAKU kritik, gazetar pushkatuar
At ANTON HARAPI shkrimtar pushkatuar
Dom LAZËR SHANTOJA shkrimtar pushkatuar
Dom NDRE ZADEJA dramaturg, poet pushkatuar
Imzot JUL BONATI përkthyes pushkatuar
TERENC TOÇI gazetar pushkatuar
At NIKOLL GAZULLI linguist vdekur në hetuesi
Prof. SIMON DEDA përkthyes vdekur në burg
Patër MARK HARAPI shkrimtar, përkthyes burgosur
Patër GJON KARMA folklorist burgosur
Patër PJETËR MESHKULLA poet, teolog burgosur
At MARIN SIRDANI historian burgosur
At KONRRAD GJOLAJ shkrimtar burgosur
MARK DEMA përkthyes burgosur
ZEF ZORBA përkthyes, regjisor burgosur
GJON SHLLAKU përkthyes burgosur
NDOC VASIA shkrimtar burgosur
KOÇO TASI linguist burgosur
GHUSH SHELDIJA folklorist burgosur
At VIKTOR VOLAJ studiues burgosur
MARIAN SKANJETI gazetar burgosur
AKILE TASI gazetar burgosur
NAPOLON TASI përkthyes burgosur
NIKOLL DAKAJ shkrimtar, kritik burgosur
FILIP FISHTA studiues burgosur
HAZIS VRIONI përkthyes burgosur
JUSUF VRIONI përkthyes burgosur
AMIK KACARUHO shkrimtar burgosur
MIRASH IVANAJ linguist vdekur në burg
LAZER RADI shkrimtar burgosur
SULEJMAN IDRIZI linguist vdekur në burg
SELMAN RIZA linguist burgosur
MITRUSH KUTELI shkrimtar burgosur
QEMAL DRAÇINI kritik vdekur në internim
MUSINE KOKALARI shkrimtare vdekur në internim
NDOC NIKA shkrimtar burgosur
MUSTAFA GËRBLLESHI shkrimtar burgosur
GJEGJ BUBANI gazetar vdekur në burg
PASHKO GJEÇI përkthyes burgosur
MARKENSEN BUNGO shkrimtar burgosur
OSMAN BISHQEMI shkrimtar burgosur
ANTON FRASHRI shkrimtar burgosur
NEXHAT HAKIU poet burgosur
PETRO MARKO shkrimtar burgosur
At BERNARDIR PALAJ shkrimtar vdekur në burg
MITHAT ARANITI publicist, përkthyes burgosur
GULJELM DEDA gazetar, përkthyes burgosur
BEQIR HAÇI poet, përkthyes burgosur
KASEM TREBESHINA shkrimtar burgosur
MARK NDOJA poet burgosur
GJERGJ KOMNINO poet burgosur
NIKOLLA KOTE përkthyes burgosur
KAPLLAN RESULI shkrimtar burgosur
PJETËR GJINI poet burgosur
KIN DUSHI shkrimtar burgosur
URAN KOSTRECI poet burgosur
NUREDIN BORIÇI poet burgosur
PANO TAÇI poet burgosur
BAJRAM HYSENI poet burgosur
JORGO BLLACI poet, përkthyes burgosur
TRIFON XHARGJIKA poet pushkatuar
XHELAL KOPRËNCKA poet pushkatuar
FADIL KOKOMANI gazetar pushkatuar
VANGJEL LEZHO gazetar pushkatuar
ROBERT VULLKANI përkthyes burgosur
ZHANETA OGRANAJA poete burgosur
MEHMET MYFTIU shkrimtar burgosur
ANASTASIA TAÇI librare burgosur
GENC LEKA poet pushkatuar
VILSON BLLOSHMI poet pushkatuar
BEDRI MYFTARI shkrimtar burgosur
ZYHDI MORAVA shkrimtar burgosur
VISAR ZHITI poet burgosur
HALIL LAZE gazetar burgosur
DAUT GUMENI poet burgosur
FREDERIK RESHPJA poet burgosur
BEQIR ÇELA poet, përkthyes pushkatuar
AHMET GOLEMI shkrimtar burgosur
FATOS LUBONJA gazetar burgosur
BASHKIM SHEHU shkrimtar burgosur
MYQEREM JANINA përkthyes vdekur në burg
HAVZI NELA poet varur
YLBER MERDANI poet burgosur
ALEKSANDËR ZEKA poet burgosur
JAMARBËR MARKO poet burgosur
GJERGJE PEÇI poet burgosur
At ZEF SIMONI poet burgosur
Dom FRANO ILIA folklorist burgosur
Dom NIKOLL MAZREKU studiues burgosur
At ZEF PELLUMI shkrimtar burgosur
NIKO KOTANI redaktor burgosur
SOTIR ANDONI shkrimtar burgosur
MIHAL ZALLARI publicist, përkthyes burgosur
VISARION ZHUVANI teolog, linguist burgosur
ZEF MALA drejtor biblioteke vdekur në burg
ASTRIT DELVINA shkrimtar burgosur
GANI SKURA poet burgosur
FATOS MERO RRAPAJ folklorist burgosur
EQEREM BIBA përkthyes burgosur