Njohja ime me Dritëro Agollin

10.02.2017 02:22:04

Diana Çuli

Sigurisht, puna në të njëjtin institucion nuk do të thoshte për ne, të rinjtë, se ishim medoemos miq të afërt me kryetarin e Lidhjes, apo se bisedonim lirshëm me të. Kjo ishte e pamundur, për shkak të moshës sonë tepër të re, emrit tonë të panjohur ose fare pak të njohur, për shkak të hierarkisë normale me shefat, kryeredaktorët, shefat e sektorëve dhe respektit që të vjen si rjedhojë e kësaj hierarkie. Dhe e respektit të natyrshëm që ne vetë ndjenim pr një personalitet si ai, për veprën e tij.

Ishte kohë e vështirë, pas Plenumit të 4 të partisë së punës, plenum i cili kishte dënuar « shfaqjet e huaja » në letërsi e arte dhe zyra e shtypit në KQ ushtronte një censurë shumë të fortë mbi të gjitha krijimet që botoheshin në Drita apo në revistën Nëntori. Megjithatë, megjithë këtë atmosferë të rëndë e të zymtë, Lidhja shpesh përshkohej nga një atmosferë klime artistike, bisedash të këndshme letrare, diskutimesh të thella mbi cilësinë e letërsisë dhe artit. Vinin shumë letrarë e shkrimtarë nga rrethet dhe ata gjenin gjithnjë ngrohtësi në pritjen që u bëhej ; shumë prej tyre më vonë u shquan si poetë dhe si shkrimtarë. Dhe, kjo kilimë, kjo atmosferë, i detyrohej pa asnjë dyshim Dritëro Agollit, që me mençurinë e tij dinte si të lundronte në ato ujëra të vështira, si të ndihmonte më të rinjtë, po edhe kolegët e tij, edhe në moment të vështira.

Ai nuk ishte kurrë i rreptë, kërkues – në kuptimin që ka përgjithësisht kjo fjalë. Nuk e mbaj mend, në tetëmbëdhjetë vjet që kam punuar atje, ta kem dëgjuar në asnjë mbledhje, – të paktën në ato ku unë merrja pjesë, të kolektivit dhe ndonjë tubim letrar – të ketë ngritur zërin, të ketë qenë i ashpër, të ketë qenë i zemëruar. Ndoshta ai edhe ndihej shpesh i mërzitur, i pakënaqur me punën e ndonjerit apo të shumë njerëzve, ndoshta dhe dëshpërohej e shqetësohej për shumë gjëra të rënda që shpesh herë ndodhnin, por kurrë nuk i sulej askujt dhe kurrë nuk kritikonte apo të krijonte situata konfliktuale. Nëse ishte i pakënaqur me punën e dikujt prej nesh, e kuptonim me ndjesi, me përshtypje, me ndonjë gjysmë fjale, me ndonjë shikim të trishtë e të befasuar. Dhe atëhere kjo na bënte të ndiheshim në gabim, të na vriste ndërgjegja për çka kishim lënë pas dore, për ndonjë shkrim shkel e shko apo për ndonjë veprim mendjelehtë.

Dhe, në rastet e pakta të ndonjë festimi – ai ishte i papërsëritshëm në batutat, shakatë, atmosferën e ngrohtë që krijonte. Por, gjithnjë i përmbajtur.

Ky ishte Dritëro Agolli që kam njohur unë, në një periudhë, kur edhe krijimtaria e ti jishte në kulm, kur çdo krijim modest që mund të shkruaja, më dukej i pavlerë, kur “Shoku Zylo” – vepra e tij sarkastke ndaj regjimit ishte një burim shprehjesh ironike nga të gjithë, për të stigmatizuar, qoftë edhe nën zë, shtypjen ideologjike e politike.

Mendoj gjithnjë se puna ime si redaktore, si gazetare, në Lidhjen e Shkrimtarëve, e drejtuar nga Agolli ishte një shkollë tjetër, jo vetëm për të mësuar thelbin e letërsisë, por edhe qëndrimin ndaj jetës, optikën ndaj saj, për t’i parë gjërat në një shikim tepër të gjerë e njerëzor. Ai ishte një humanist i bindur, i gjithë sistemi i veprës dhe i jetës së tij udhëhiqej nga ky fill, të cilin e ndoqi deri në fund.