Njohjet peng i konteksteve gjeopolitike dhe i zhvillimeve anarkiste dhe retorikës luftënxitëse

17.02.2017 00:11:03

Nga Rexhep Kastrati

Në bisedën e kryeministrit Mustafa me moderatorin e emisionit dhe dy panelistëve në  CLICK, u quajt dështim çështja e njohjes dhe e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Edhe pse kjo çështje është më e gjerë dhe më e ndërlikuar sesa që diskutohet për të. Kjo për faktin se të thuash se ka dështuar çështja e njohjeve pa pasur parasysh faktin se në njohje ndikon shumë edhe konteksti gjeopolitik e gjeostrategjik i shteteve të caktuara, konteksti fetar, reflektimet në vetë shtetet e caktuara, si dhe vetë imazhi që ne i krijojmë shtetit tonë me sjelljen tonë.

Në kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik, duhet thënë se shumë shtete janë në kontekste të ndryshme, që përcaktohet nga ndikimi ishteteve të mëdha te to. Shumica absolute e shteteve që janë në kontekstin euro-atlantik, por në përgjithësi në kontekstin proamerikan dhe pro-euro-atlantik, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shtetet që nuk e kanë njohur në bazë të kontekstit gjeopolitik e gjeostrategjik, janë në kontekstin e euro-azisë, përkatësisht nën ndikimin rus dhe serb, siç janë disa shtete arabe, shtetet e Amerikës Qendrore dhe Jugore etj.

Në kontekstin duhet thënë se janë disa shtete si Sllovakia, Greqia, Rumania dhe të tjera si këto që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, janë edhe disa shtetearabo-muslimane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës për shkak tē orientimit euro-perëndimor të Kosovës, përkatësisht për shkak të orientimit proametikan.

Disa shtete, si Spanja dhe të tjera si kjo, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës për shkak të problemeve etnike që kanë brenda tyre. Kjo është një nga arsyet që ka ndikuar edhe te Kina për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, pasi ka problemin e Tajvanit dhe të rajoneve të tjera brenda saj. Qëndrimi i Spanjës po reflektohet edhe te ish-kolonitë e saj.

Mirëpo, një nga arsyet kryesore lidhet me mënyrën e funksionimit të shtetit të Kosovës, respektimin e të drejtave të njeriut, të pakicave, sidomos të raportit me serbët. Mosfunksionimi i duhur i shtetit të Kosovës gjatë viteve, qoftë për shkak të performancës së tyre gjatë viteve për shkak të keqqeverisjes, gjatë mandateve të kaluara, qoftë për shkak të pengesave dhe bllokimit të institucioneve, qoftë për shkak të dhunës, anarkisë dhe tensionimit të situatës, gjatë dy viteve të fundit, ka ndikuar shumë në imazhin e Kosovës, e për pasojë edhe në çështjen e njohjeve. Dhe ky imazh i keq i Kosovës, e ka paraqitur atë si një shtet jostabil, të paaftë dhe të paqëndrueshëm.

Në anën tjetër, çështja e retorikës nacionaliste, ekskluziviste dhe qasja ndaj komuniteteve etnike ka paraqitur Kosovën një shtet me trajtim jo të mirë ndaj tyre. Vetëm pak ditë më parë ambasadori britanik, Ruairi O’Connel tha se Kosova nuk ka bërë sa duhet për pakicat. Të gjitha këto kanë ndikuar që Kosova jo vetëm të mos realizojë njohje të reja, por të humbë mbështetjen e disa shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Rasti i abstenimit apo votimit kundër pranimit të Kosovës në UNESCO është rasti më ilustrativ e kësaj që po them.

Dhe nuk mund të anashkalohet edhe roli i diplomacisë serbe dhe ruse që në emër të Rezolutës 1244, bëjnë që disa shtete të hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, edhe për faktin se nuk e kanë prooritet në politikën e jashtme të tyre Ballkanin, pra as Kosovën. Një pjesë e këtij aspekti lidhet me kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik që e shtjellova më lartē.

Përfundimisht duhet thënë se çështja e njohjeve është çështje që varet nga shumë faktorë te të cilat Kosova nuk mund të ketë ndikim, kurse mund ta ndihmojë veten duke e thelluar qeverisjen e mirë, duke heqë dorë nga format e dhunshme, destabiliziese, si dhe duke respektuar marrëveshjet dhe obligimet ndërkombëtare, dukr respektuar të drejtat e njeriut, të drejtat etnike dhe fetare të qytetarëve të saj, duke u dëshmuar faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.