“No Messi, no party”, Argjentina humb me Bolivinë

29.03.2017 10:12:27

E privuar nga Lionel Messi (u skualifikua për katër ndeshje), Argjentina humb 2-0 ndaj maces së zezë Bolivisë dhe e sheh veten sërish në një situatë të komplikuar për sa i takon kualifikimit në Botërorin “Rusia 2018”. Formacioni jo tipik i trajnerit Bauza që la në stol Aguero-n dhe Dybala-n për t’i dhënë besim Pratto-s dhe Correa-s u gjend menjëherë në vështirësi përballë një Bolivie agresive dhe të mirëvendosur në fushë. Të zotët e shtëpisë kalojnë në avantazh me Arce që mposhti portierin Romero me një goditje të bukur me kokë në minutën e 31-të. Mbrojtja e Argjentinës thyhet sërish në minutën e 52-të nga Martins Moreno që dyfishon shifrat për vendësit.

Bauza dërgon në fushë Aguero-n dhe jo Dybala-n, por është tepër vonë, ndërsa Bolivia menaxhon më së miri avantazhin dhe merr kënaqësinë e të mundurit për të dytën herë Argjentinën në tre ndeshjet e fundit në “La Paz” pas fitores së bujshme 6-1 në vitin 2009. Mungesa e Messi-t konfirmohet tepër e rëndë për Argjentinën që në këto kualifikuese ka një përqindje fitoresh me 83% kur “Pleshti” është në fushë dhe 27% kur ai mungon. Dhe këto janë shifra shqetësuese. Pas humbjes me Bolivinë, “Albiçeleste” pozicionohet në vendin e pestë të CONMEBOL me 22 pikë, 11 më pak se Brazili kryeues. Ndërsa Bolivia është në vendin e parafundit, e nënta me 10 pikë. /telesport.al/