Norvegjia s’e ‘njeh’ Kosovën!

23.07.2016 08:04:31

Norvegjia ka vendosur që shtetasve të saj që kanë lindur në shtete tjera, ku informatat janë vështirë të verifikueshme, në pasaporta te rubrika “vendi i lindjes” t’u shkruhet “i panjohur”. Kosova përfshihet në këtë listë të përbërë prej 31 shteteve

Drejtoria e Policisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Norvegji ka marrë një vendim mbi pasaportat norvegjeze, në bazë të të cilit shtetasit norvegjezë, të lindur në shtete të tjera, ku informatat janë vështirë të verifikueshme, nga tash e tutje në rubrikën “vendi i lindjes” t’u shënohet “i panjohur”. Ky vendim përfshin 31 shtete, kryesisht në Azi e Afrikë, por në mesin e tyre është edhe Kosova.

Për më tepër ky vendim shtetasve norvegjez që kanë lindur në Kosovë do t’ua pamundësojë udhëtimin, marrjen e vizave apo hyrjen në shtete me kontrolle restriktive siç janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme të Kosovës thonë për gazetën “Zëri” se Qeveria duhet të kërkojë informata së cilat kushte duhet plotësuar që Kosova të largohet nga kjo listë. Ndërsa, MPJ-ja thotë se është duke marrë sqarime nga shteti norvegjez për këtë çështje.