Nostalgjia e Beratit të Bashorit për milicinë serbe dhe lufta brenda llojit

11.01.2018 16:13:08

Nga Rexhep Kastrati

Ish-kuvendari i PDK-së, nxënësi i Batonit në gazetari, e jarani i Kadri Veselit, Sami Lushtakut etj., por mbi të gjitha i biri i Bashorit, Berati nuk qenkësh përmbajtur dot dhe e paska nxjerrë i shkreti atë që ka në zemër: nostalgjinë për aparatin represiv të Serbisë!

Nostalgjia si e këtillë është çështje e një qasje dhe ndjesie personale që edhe mund të mos bëhej fare temë, edhe pse të kesh nostalgji për pushtuesin dhe për aparatin e tij represiv do të thotë edhe mungesë patriotizmi dhe fyerje për gjithë ata bashkëkombas që janë vrarë, masakruar, janë rrahur, torturuar, janë poshtëruar dhe janë sakatuar edhe në aspektin e riprodhimit, edhe në aspektet e tjera.

Berati i Bashorit, ndërkaq, përveç kësaj, fyerjen e shtrin edhe në Policinë e Kosovës, e cila në fakt të vetmin problem që ka, e ka me historinë e zanafillës së saj, me çmilitarizimin e UÇK-së, kur edhe linja e Tiranës/Kretës, pjesë e të cilës u bë edhe vetë Berati, e kapën dhe po e pengojnë profesionalizimin e saj të mëtutjeshëm. E vërteta është se policia e Kosovës, gjatë viteve ka bërë përparim të madh drejt profesionalizimit dhe çlirimit nga kapja që i është bërë gjatë viteve pikërisht nga strukura e drejtuar nga Hashim Thaçi.

Në fund të fundit, Policia e Kosovës është ndër institucionet më të persekutuara të shtetit të Kosovës pikërisht për shkak të rëndësisë që ka në tërësinë dhe strukturën e shtetit të pavarur, dhe për shkak të historisë së themelimit të saj.

Policia e Kosovës, thuajse u la në mëshirë të vetes kur sulmohej me gurë, me mjete të tjera të forta dhe të rrezikshme dhe kur pjesëtarët e saj pësonin lëndime të rënda. Po ashtu, Policia e Kosovës u la thuajse vetëm kur u sulmua medietikisht, politikisht dhe moralisht nga falangat e krimit politik që ua vinin flakën institucioneve të shtetit, pronës shtetërore, publike e private, dhe krahasoheshin me policinë e Milosheviqit.

Dhe krahasoheshin me policinë e Milosheviqit, policët që ishin të vetmit mbrojtës të themeleve të shtetit të Kosovës dhe të institucioneve të tij.

Kurse Berati i Bashorit, ylli medietik i shumë veglave kondomë brenda e rreth LDK-së, ka shkuar edhe më tej: policinë e Kosovës e devalvon edhe në nivelet më të ulëta se të milicisë serbe, duke shprehur kështu një urrejtje patologjike ndaj shtetit të Kosovës.

Është kështu për faktin se kjo lidhje nuk ka me videon, në të cilën shihet Agron Mustafa duke u rrahur nga policë, pasi që ky rast është rast me të cilin nuk mund të identifikohet një institucion i tërë. Asnjë sjellje e policisë nuk mund të jetë i krahasueshëm me policinë e një pushtuesi, aq më pak kur polici të shteteve të tjera, edhe të mëdha, sillen në mënyrë më të egër ndaj qytetarëve.

Natyrisht se si ish-kuvendar i PDK-së, si pjesëtar i së njëjtës linjë që u përkasin shumica e atyre që do të ballafaqohen me Gjykatën speciale, nuk mund të përjashtohet mundësia që devalvimi i Policisë së Kosovës nën nivelin e milicisë serbe, mund të jetë bërë edhe si parathënie në një fushatë të re speciale kundër institucioneve të Kosovës, me rastin e arrestimeve eventuale, apo edhe në rastin e një angazhimi për destabilizim të shtetit, ashtu siç bëhej luftë speciale kundër institucioneve të Kosovës gjatë viteve 2015-2016.

Sigurisht nuk përjashtohet mundësia që sikurse vetë sulmi ndaj Agron Mustafës, edhe reagimet të jenë në kontekst të qerimeve të hesapeve ndrëmjet klaneve të fuqishme që lidhen edhe me Post-Telekomin.