Nuk bie numri i aksidenteve as gjatë verës

26.07.2016 12:12:22

Vetëm gjatë javës së kaluar kanë ndodhur dy aksidente që kanë përfunduar me fatalitet duke lënë kështu të vdekur dy persona.

Nga statistikat e marra në Zyrën për Informim të Policisë së Kosovës, duket qartë se numri i aksidenteve nuk është në rënie as gjatë verës, shkruan Gazeta Blic.

Numri i aksidenteve me të lënduar ka shkuar në 159, kurse me dëme materiale 306.

Duke krahasuar këto statistika me ato të gjashtë mujorit të kaluar, ku 46 aksidente kanë rezultuar me fatalitet dhe 50 persona kanë humbur jetën, mund të vërehet se as gjatë verës nuk ka ulje të aksidenteve.

Numri i aksidenteve me të lënduar gjatë gjashtë muajve të kaluar ka qenë 2781.

Daut Hoxha nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në Policin e Kosovës, për Gazetën Blic ka thënë se Policia e Kosovës është duke i marr të gjitha masat e mundshme për t’i parandaluar aksidentet.

“Referuar shtimit te numrit te aksidenteve Policia e Kosovës me njësitë relevante të saj rregullisht ka ndërmarrë masa konkrete në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor si në aspektin parandalues dhe veprues. Me qellim te parandalimit te aksidenteve dhe shtimit te sigurisë ne trafik, tani kemi filluar një plan policor te veçante i cili ka te beje me përdorimin e veturave zyrtare pa shenja policore (dukje si vetura civile) me qellim te vëzhgimit te pjesëmarrësve ne trafik dhe marrjen e masave ligjore ndaj shkelësve te ligjit te trafikut te cilët bëjnë kundërvajtje ne trafik”.

Si shkaktar kryesor të aksidenteve, Policia e Kosovës ka emëruar : tejkalimin i shpejtësisë, mos mbajtjen e distancës si dhe gjendjen teknike të automjeteve, duke ritheksuar se faktori kryesor për shkaktimin e aksidenteve mbetet faktori njeri.