Nuk është mister: Anastasia Romanova është ekzekutuar nga bolshevikët!

30.07.2016 12:13:43

Fati i Anastasia Romanovës (1901-1918), vajzës së katërt të Carit të Rusisë, Nikolla II dhe Careshës Aleksandra, ka qenë një nga misteret më të mëdha të shekullit XX, ndërsa pati shumë nga ata që besonin se vajza e re, edhe pse nuk dihet se në ç’mënyrë, kishte arritur t’i shpëtonte ekzekutimit masiv në natën ndërmjet 17-18 korrikut 1918 që zhduku familjen e saj.

E vështirë, pothuajse e pamundur të besohet që dikush mund të ketë qenë në gjendje t’i shpëtonte tërbimit të verbër e vrastar të bolshevikëve, por u mendua, si hipoteza më e besueshme, se bizhuteritë e qepura nën fustan me qëllim shmangien e vjedhjes së tyre, formuan një mburojë të padepërtueshme ndaj shiut të plumbave që ra mbi Romanovët; dikush i paidentifikuar, do ta kishte shpëtuar vajzën pak më vonë.

Për dekada me radhë, dyshimi u ushqye nga mungesa e vendndodhjes së varrit të përbashkët  të familjes perandorake, dhe nga shfaqja e grave të ndryshme që pretendonin se ishin dukessha; njëra prej tyre, Ana Anderson, ishte ajo që arriti të tërheqë vëmendjen e opinionit publik dhe të mbushte faqet e gazetave, deri kur u zbulua se në fakt bëhej fjalë për një shtetase polake të arratisur nga një spital psikiatrik gjerman.

Pra çfarë ka ndodhur në realitet me Anastasian? Me rënien e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, u zbulua edhe vendodhja e eshtrave të Romanovëve, të gjetura pranë Ekaterinburgut, ku ishin hedhur me urdhër të Leninit; analizat e kryera konfirmuan identitetin e tyre, por u konstatua se mungonin dy trupa, ato të Marias dhe Alekseit të vogël, vetëm 13- vjeç në kohën e ekzekutimit. Ky dyshim i fundit ra në vitin 2008, kur trupat e dy fatkeqëve u gjetën në një vend jo shumë larg nga ai në të cilën qenë varrosur anëtarët e tjerë të familjes. Pra në dritën e këtyre zbulimeve, tashmë dihet me siguri se Anastasia e bukur dhe e pafajshme, pati të njëjtin fat tragjik të të afërmve të saj. Kur u vra në korrik të vitit 1918, ajo ishte vetëm 17-vjeç.