Nuk ka fitues në “Anfied”, Liverpul-M.Junajtid ndahen në paqe

18.10.2016 13:11:17

Derbi i Anglisë e ka gjithmonë një protagonist të madh, dhe në sfidën e “Anfield Road” këtë herë ai ishte David De Gea që me pritjet e tij bëri që përballja më e zjarrta në ishull të mbyllej pa gola. Ashtu si në një ndeshje shahu, Mourinho dhe Klopp kishin përgatitur skuadrat për një përballje taktike në fushë duke ndarë madje dhe lojën me nga një pjesë në favor. Në 45 minutat e para ishte United që menaxhoi më shumë lojën dhe pse nuk pati raste të pastra për shënim, ndërkohë që në të dytën ritmin e udhëhoqën “The Reds” që megjithatë nuk arritën të skuqnin kundërshtarët dhe për meritë të De Gea-s, që klasin e tij e tregoi të gjithin në pritjen e Emre Can në të 59-tën, kur arriti të shmangë një gol të sigurtë duke larguar topin dhe pse nuk e pa atë.

United vuajti dhe vonesën e Mourinhos në zëvendësime dhe në minutën e 71-të pati nevojë për një tjetër mrekulli të De Geas, që me një hapje fantastike devijoi në këndore një goditje po kaq të mrekullueshme të Coutinho-s. Djajtë e Kuq e patën të vështirë të dilnin përpara dhe rastet më të mira ishin sërish për vendasit, që në minutën e 84-tërt panë Firminon të bllokohej në momentin e fundit. Gjitchka u mbyll në barazim, me City-n që përfiton më shumë nga kjo sfidë duke ruajtur i vetëm vendin e parë në renditje, me Liverpoolin që u ndal pas katër fitoreve radhazi nga një United shumë i kujdesshëm.