Nuk ka mrekulli në Athinë, dëshira e grekëve nuk mjafton, Kroacia zyrtarisht në Botëror

12.11.2017 23:07:10

Asnjë surprizë në “Karaiskaqis” të Pireut. Kroacia e yjeve si Modric, Rakitic, Perisic e Mandzukic është përfaqësuesja e rradhës që siguron kualifikimin për në Botërorin, Rusi. Skuadra e drejtuar nga ish trajneri i Dinamos, Zlatko Dalic barazoi 0-0 në Athinë në sfidën e kthimit përballë Greqisë që kishte nevojë për një mrekulli për të shkuar në Rusi 2018.

Helenët e Skibes duhet të fitonin 3-0 për të përmbysur humbjen 4-1 të ndeshjes së parë, por Greqia nuk arriti të thyente rezistencën e portierit të kroatëve, Subasic, me Kroacinë që ishte më e rrezikshme teksa në minutën e 43-të goditi edhe shtyllën me një predhë të Ivan Perisic nga distanca. Ndërkohë në minutën e 79-të, goli i Pelkas për grekët u anulua nga gjyqtari për pozicion jashtë loje. Kroacia u bë kështu përfaqësuesja numër 28 që siguroi kualifikimin në Kupën e Botës, Rusi 2018 që do të zhvillohet verën e ardhshme.