“Nuk po bëjmë takime për fotografi, por për bashkëpunim”

13.09.2016 16:24:36

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti në takim homologun e tij nga Tirana, Erion Veliaj ku tha në konferencë për media që takimin nuk e kanë bërë vetëm sa për ta bërë por që të thellojnë bashkëpunimin në mes të dy kryeqyteteve.

“Ne nuk po bëjmë takime për fotografi, por për bashkëpunimet në mes kryeqyteteve”, ka thënë Ahmeti.

Veliaj ka treguar gjithashtu që ai ka jetuar në Prishtinë para 14 viteve në lagjen e “Muhaxherëve” dhe ka thënë se takimi po zhvillohet që të ndajnë përvojat.

 

“Më vjen shumë mirë që e takoj shokun tim, Shendin. Unë dhe Shpendi nuk shmangemi nga politika dhe zhvillimi në vend, por fokusohemi shumë që kryeqytetet të zhvillohen. Ne do të këmbejmë përvojat e njëri – tjetrit”.

Ky i fundit do të qëndrojë për një vizitë dyditore në Kosovë ku do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryekuvendarin Kadri Veselin, ministrin e jashtëm, Enver Hoxhaj si dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, njofton Klan Kosova.