Nuredin Ibishi: Gjykata Speciale do ta dobësojë një krah politik

05.04.2017 13:08:12

Deputeti nga radhët e LDK-së, Nuredin Ibishi, ka thënë se Gjykata Speciale nuk është e definuar mirë dhe se paraqet drejtësi selektive.

Ibishi ka shtuar që arrestimet që pritet të ndodhin nga Gjykata Speciale mund të tensionojnë gjendjen politike në Kosovë, veçanërisht mund të dobësojnë një krah politik.

“Për Gjykatën Speciale kam mendim të ndarë. Është një drejtësi selektive që e kemi menaxhuar shumë keq, nuk kemi bërë asgjë në kohën e duhur, tash na ka ardhur si diçka e pa definuar mirë. Sido që të jetë mendoj që do të kalojmë në një faze shumë të vështirë dhe me shumë tendosje. Është një situate e tendosur dhe do të ndikoj politikisht, mirëpo prapë jam optimist që nuk do të ketë tendosje të mëdha në kuptimin e ndonjë forme proteste. Ne kemi qenë të ndëgjueshëm para drejtësisë ndërkombëtare, ne ju kemi përgjigjur gjithherë. Nuk besoj që do të ketë tendosje të mëdha, reagime të mëdha, më shumë besoj që do të ketë dobësim të një krahu politik”, ka thënë deputeti Nuredin Ibishi në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.

Ibishi ka thënë se ka votuar ligjin për Gjykatën Speciale edhe duke qenë i vetëdijshëm se mund të akuzohen të gjithë ata që kanë marrë pjesë në UÇK.

“Kur e kam votuar ligjin për Gjykatën Speciale kam menduar që do të akuzohemi të gjithë ne, pasi kam menduar se një pjesë e aktakuzave do të jenë të fabrikuar nga pala serbe. Ne si pjesëtarë të UÇK-së duhet të mësohemi që t’i tejkalojmë këto situata”.

Tutje Ibishi ka thënë që arrestimi i Ramush Haradinajt ka shkaktuar një tensionim të veçantë, ngaqë ka ndodhur në vazhdimësi, përderisa vlerësoi shumë të dobët reagimin e institucioneve kosovare në raport me largimin e fletë-arresteve.

Ndërsa sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme deputeti i LDK-së, është shprehur që nuk është koha e duhur.

“Të gjitha këto probleme në vend janë shqetësuese edhe ndoshta është e vështirë të gjendet zgjidhja. Mendoj që më mirë është të ulemi të gjithë së bashku me një konsensus të gjejmë një zgjidhje, e të mos presim që me një shkop të zgjidhen më vonë. Sa i përket zgjedhjeve të përgjithshme, nuk jemi ne shumë të zot edhe të gatshëm që t’i menaxhojmë dy zgjedhje në të njëjtin vit”, tha Ibishi.